Arsimi

Tema nga fusha e arsimit...

Bëj një postim
  • Historia e babait student

    Ia mohuan shkollën në diktaturë. Ulet në auditor pas 28 vitesh, në një kurs me "fëmijët" e tij

    03 prill 2008 - Dritan Laci

     Afrim Nela, 51 vjeç, baba i dy fëmijëve, vazhdon studimet ditën për Inxhinieri Nafte dhe ndjek rregullisht leksionet

    Studenti 51-vjecar Afrim Nelaj me shoket e kursit

    Tamam-tamam ai duhej t'i fillonte studimet, plot 32 vite më parë, në të njëjtën periudhë kur babai im fitonte të drejtën për të ndjekur Pedagogjiken e lartë. Por ja që kjo dëshirë nuk qe e thënë të realizohej as atëherë dhe as më vonë, me rënien e sistemit komunist. Historia e tij, është pak a shumë ajo që ka ndjekur përgjatë sistemit të kaluar shumë individë të deklasuar, të cilët, paçka se kishin rezultate të mira në shkollë, për hir të linjës politike të kohës u përjashtuan nga e drejta për të vazhduar studimet e larta. Po nëse shumë prej tyre iu bindën verbërisht fatit të keq, Afrim Nelaj, nuk hoqi dorë kurrë nga ëndrra për të ndjekur studimet. Ai mundi t'i japë jetë dëshirës së kahershme për të ndjekur studimet e larta vetëm 4 vite më parë, kur ishte në fundin e të dyzetave. Sigurisht që nuk e kishte të lehtë. Gjithçka e kishte bluar në kokë me qetësi. Familja ishte dakord, por problemi qëndronte diku tjetër. Aktualisht në moshën 51- vjeçare, studenti më i moshuar në auditorët e sistemit të ditës, kujton me shaka se ditët e para të fakultetit, ishin disi të bezdisshme. Të gjithë e shikonin me çudi. Shokët e kursit në Inxhinierinë e Naftës në Fakultetin e Gjeologji-Minierave, ishin pothuajse në një moshë me fëmijët e tij. Nuk kishte si të qe ndryshe. Ai ishte një student që dallonte nga të tjerët. Për nga vetë thinjat që mbante në kokë, ai binte që të ishte babai i shokëve të kursit.


    Duhet të gjente gjuhën me të gjithë. Jetonin në të njëjtën kohë, por me mentalitete të ndryshme për jetën, që dëshironin apo jo diku përplaseshin. "Arsyeja për të cilën kam vazhduar shkollën me vonesë ka pasur të bëjë me njollat në biografi që kishte familja ime gjatë sistemit komunist. Gjyshi im është pushkatuar gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, nga partizanët, pa gjyq. Që nga ajo periudhë familja ime, e cila jetonte në Kurdar të Matit, shikohej me sy jo të mirë". Ky sy jo fort i mirë ndoqi edhe Afrimin në jetë. Ai përfundoi me rezultate të mira shkollën e mesme, por nuk iu dha mundësia të ndiqte arsimin e lartë. I bindur se nuk mund të bënte më shumë, kundër sistemit në fuqi, Afrimi vendosi të futej në punë. Fati e desh që në fshatin e tij të vinte për ekspeditë Gjeologjia e Tiranës. "Realisht duhet ta filloja shkollën e lartë në vitin 1976. Nuk kam qenë i shkëlqyer në mësime, por kam qenë nxënës i mirë. Problemi ishte sporti politik. Në këtë vit, në fshat erdhi për ekspeditë Gjeologjia e Tiranës. Duke qenë se kërkoja punë, të parët e fshatit më lidhën me gjeologjinë. Këtu filloi edhe puna ime për shumë vite me çpimet". Për afro 14 vite, deri në rënien e sistemit totalitar, Afrimi, i ra Shqipërisë anembanë duke kërkuar e studiuar tokën me sondë. Me gjithë eksperiencën e gjatë në punë, ai nuk e humbi dëshirën për të vazhduar studimet. Moskryerja e arsimit të lartë, i kishte ngelur peng në zemër, edhe pse gjeti mundësinë për të rinisur punën në gjeologji.

     


    Ardhja e demokracisë ishte një mundësi për ta realizuar më në fund dëshirën që e mundonte. Por ja që sërish nuk qe e thënë. Familja e tij e vogël në numër ishte e re. Fëmijët ishin ende të parritur mirë. Një baba student, do ishte preokupim i tepërt në një kohë të tillë. Kështu që Afrimit i duhej të priste ende, paçka se vitet kalonin me shpejtësi. "Unë kam një vajzë dhe një djalë. Vajza ndjek studimet për Stomatologji në vitin e parë, ndërsa djali është në vit të dytë në gjimnaz. Fëmijët janë bërë shkas që të shtyj edhe vendimin për të filluar shkollën e lartë në vitet e para të ndërrimit të sistemit". Vetëm kur kuptoi se kishte vënë diçka në vijë Afrimi vendos përfundimisht të konkurrojë në Fakultetin e Gjeologji-Minierave. Zgjodhi degën e Inxhinierisë së Naftës, për të qenë sa më pranë profesionit që kishte ushtruar për kaq e kaq vite. "Pasi arrita të sistemoja fëmijët, që për mua ishte gjëja parësore në jetë, gjeta mundësinë për të vazhduar shkollën. Arsyeja për të cilën zgjodha këtë profil është se unë kam një aktivitet privat i cili merret më shpime dhe studime inxhinierike. Duke parë problemet teknike që ndeshja në punë mendova të provoja veten edhe në shkollë". Kështu, në vitin akademik 2004-2005, Afrimi vendos përfundimisht të konkurrojë për një vend në Fakultetin e Gjeologji-Minierave. Kishte mëse 28 vite që nuk prekte libra me dorë. Edhe kur e kishte bërë një gjë të tillë, rastiste të ndodhte vetëm kur mësonte fëmijët. Por edhe në këtë rast vetëm përciptas, pa i hyrë shumë në thellësi. "Thashë të provoja veten. Të gjithë u çuditën, por dola mirë. U rendita i treti në listën e fituesve. Aty vendosa ta nis seriozisht shkollën. Nusja dhe fëmijët e pritën mirë.



    Problemi ishte te vetja". Afrimin e mundonte shumë pritja që do t'i bënin shokët e kursit, të cilët ishin shumë më të rinj se ai. Një pyetje i rrihte si çekan në kokë: A do të arrinte t'i përshtatej modelit të ri në të cilin ishte futur arsimi i lartë? "Faktikisht, momentet e para ishin të vështira në kuptimin që mosha jonë gjykon pak ndryshe, ka tjetër preokupim, tjetër perceptim për jetën. Vështirësia qëndronte në përshtatjen me studentët, sepse afërisht ata i binin që të ishin fëmijët e mi. Pastaj filloi shkolla. Provimi i parë ishte i vështirë. Ishte në Matematikë. Aty fillova të flas me të gjithë shokët e kursit". Komunikimi me shokët e kursit në tremujorin e parë të studimeve, ishte i vështirë. Afrimi u detyrua të përdorte dy standarde komunikimi: të fliste, herë si shok dhe herë si prind. Dalëngadalë ai arriti të gjejë gjuhën e komunikimit me shokët dhe shoqet e kursit. Mosha e Afrimit bëri të vetën. Ai edhe sot që është në vitin e katërt të studimeve i ndjek rregullisht leksionet. Kjo rregullsi bie pak ndesh me modelin e studentit të sotëm shqiptar, i cili më të shumtën e kohës preferon më mirë ta kalojë në kafe sesa duke ndjekur seminaret. Me gjithë insistimin tonë për ta nxjerrë Afrimin për pak çaste nga ora e leksionit, ai nuk tutet nga karrigia ku është ulur, duke respektuar deri në fund pedagogun e lëndës. "Në kohën tonë shkolla ka pasur rregull. Dallimi me realitetin e sotëm është i ndjeshëm. Atëherë mendimi i studentëve ishte thjesht fasadë. Tani gjërat kanë ndryshuar. Ka më shumë liri. Shpeshherë i këshilloj çunat e kursit si prind.

    Këtë gjë e kam bërë që në fillim kur i kam njohur". Afrimi thotë se gjeologjia në Shqipëri nuk do të vdesë kurrë. Këtë gjë ua kujton edhe shokëve më të rinj të kursit. "Unë mendoja se meqenëse kisha bërë praktikën para shkollës, i kisha fituar të gjitha njohuritë. Por ja që tani që ndodhem në përfundim të studimeve, them se kam gabuar. Sado të mësosh në jetë, shkolla është shumë e rëndësishme, ajo ka vendin e saj të pazëvendësueshëm". Këtë gjë Afrimi mundohet t'ua ngulisë në kokë edhe më të rinjve. Sigurisht atyre që dëshirojnë, pasi të tjerët, ata që veprojnë ndryshe e kuptojnë neglizhimin ndaj shkollës, vetëm kur përballen me problemet që hasin gjatë jetës.


    Vështirësia qëndronte në përshtatjen me studentët, sepse afërisht ata i binin që të ishin fëmijët e mi.

    Meqenëse kisha bërë praktikën para shkollës, i kisha fituar të gjitha njohuritë. Por ja që tani them se kam gabuar

     

  • Provimi i Gjuhë-Letërsisë:Maturantët, AVA na ndryshoi fragmentin

    Rreth 50 maturantë kanë paraqitur ankesë në MASH. Fragmenti i rënë në test ishte ndryshe nga programi që ata kanë mësuar Ishin përgatitur të jepnin provim njohuritë e fituara në tekstin shkollor të përzgjedhur nga shkolla ku mësojnë, por papritur dhe pa i vënë në dijeni askush, kanë gjetur përpara tyre një material tjetër shkollor që nuk përkon me dijet e nxëna.

    Denoncohen parregullsitë e para në provimin e Gjuhë-Letërsisë në Tiranë. Provimi në profilin natyror, me probleme

    Rreth 50 maturantë kanë paraqitur ankesë në MASH. Fragmenti i rënë në test ishte ndryshe nga programi që ata kanë mësuar

    Ishin përgatitur të jepnin provim njohuritë e fituara në tekstin shkollor të përzgjedhur nga shkolla ku mësojnë, por papritur dhe pa i vënë në dijeni askush, kanë gjetur përpara tyre një material tjetër shkollor që nuk përkon me dijet e nxëna. Denoncimi vjen nga maturantët e profilit natyror në shkollën jopublike “Willson” në Tiranë, të cilët janë shprehur për gazetën “Shekulli”, se ndryshe nga sa janë orientuar në programin lëndor të sjellë nga MASH, ku thuhet qartë se “mësuesit do përgatisin nxënësit për provim duke punuar me fragmentet e shkëputura nga tekstet e përzgjedhura në shkollën e tyre”, kanë qenë të detyruar të japin përgjigje për një fragment që nuk ndodhej në tekstin shkollor që ata kanë mësuar. Konkretisht, maturantëve të profilit natyror në këtë shkollë, u është dashur t’i japin përgjigje pyetjeve në test për një fragment i cili ndodhej në tekstin shkollor “Letërsia 4”, me autor shtëpinë botuese “Albas”, ndërkohë që ata vetë, përgjatë gjithë vitit shkollor kanë mësuar me tekstin e letërsisë të shtëpisë botuese “Pegi”, të përzgjedhur nga shkolla e tyre si më i miri, në bazë të reformës Altertekst të ndërmarrë nga Ministria e Arsimit.

    ***

    Dallimi në tekstet shkollore të dy shtëpive botuese qëndron në faktin se fragmentet e përzgjedhura nga librat e shkrimtarëve vendas apo botërorë, janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Kështu ndodh edhe me librin “Letër babait” të shkrimtarit Franc Kafka, ku në secilin tekst shkollor, për të njëjtin libër, janë zgjedhur si lëndë mësimore fragmente të ndryshme. Kjo gjë mesa duket nuk është marrë parasysh nga formuluesit e testit të provimit me detyrim në lëndën e Gjuhë-Letërsisë, të cilët kanë përzgjedhur të vendosin në test vetëm fragmentin që gjendet në tekstin shkollor të botuar nga “Albas”, duke penalizuar rëndë, në këtë rast, maturantët që kanë mësuar fragmentin e përzgjedhur në tekstin shkollor të shtëpisë botuese “Pegi”.

    Këtij fenomeni, ditën e provimit me detyrim në lëndën e Gjuhë-Letërsisë nuk kanë ditur t’i japin zgjidhje as administratorët e provimit, të cilët ankesës së maturantëve u janë përgjigjur me fjalët “bëni çfarë të dini”. Të gjendur përballë një situate kaotike, maturantët janë mundur t’i japin përgjigje pyetjeve të parashtruara në test, paçka se ato nuk përkonin me fragmentin e mësuar në tekstin “Letërsia 4”, të përzgjedhur në bazë të reformës Altertekst, nga shkolla në fjalë në fillim të vitit shkollor. Të vetëdijshëm për penalizmin që mund të pësojnë, si pasojë e gabimit në formulimin e testit, maturantët i kanë paraqitur Ministrisë së Arsimit një ankesë, ku vënë në dijeni këtë institucion mbi mospërputhjen e fragmentit që është dhënë në orientimet për provimin e Gjuhë-Letërsisë, pa marrë asnjë përgjigje.

    ***

    Katina Boçe, maturante në shkollën jopublike “Willson”, shpreh shqetësimin për gazetën “Shekulli”, se ngatërresa e ndodhur me fragmentin mund të sjellë penalizmin në pikë, duke qenë se ajo dhe shokët e saj i janë përgjigjur pyetjeve, pa pasur njohuritë e duhura mbi fragmentin e vendosur ne testin e formuluar nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve. “Problemi është ky, që nga Ministria e Arsimit na është thënë se në provime do të na bjerë ai fragment që ne kemi mësuar në tekstet tona shkollore. Për autorin Franc Kafka, kemi fragmentin në tekstin tonë. Fragmenti që ra në provim, nuk ishte i njëjti me atë që ne kemi në tekst, kjo sepse ka dy shtëpi botuese “Albas” dhe “Pegi”. Normalisht, në rastin tonë duhet të binte fragmenti i shtëpisë botuese “Pegi”, pra fragmenti me të cilin ne kemi punuar, siç e thotë edhe programi”, sqaron Katina, duke na thënë se deri më tani, askush nga Ministria e Arsimit nuk i ka kthyer përgjigje ankesës që ata kanë drejtuar.

    ***

    Ajo që i druhen më shumë maturantët e profilit natyror, është penalizmi që mund të sjellë në pikë, analizimi në mënyrë jo të saktë i fragmentit të rënë në test. Këtë shqetësim ka ngritur për gazetën “Shekulli” edhe drejtori i shkollës jopublike “Willson”, Dilaver Koçiu, i cili thotë se ndryshimi i fragmentit vjen si pasojë e konceptit të gabuar që ndjek Ministria e Arsimit në formulimin e testit të Maturës Shtetërore në lëndën e Letërsisë. “Në fillim të çdo viti shkollor, çdo shkollë ka të drejtë të zgjedhë librin më të cilin do mësojnë nxënësit. Ky tekst që kemi përzgjedhur ne ka pasur një program të caktuar të rekomanduar për provimet e maturës. Në këtë program ishte rekomanduar një tekst përkatës, që i përkonte një vepre të caktuar. Nxënësit, mbi bazën e këtij programi të rekomanduar kanë bërë të gjithë përgatitjen dhe mësuesit e ka ndërtuar punën mbi bazën e këtij programi dhe teksteve që kanë qenë në qarkullim. Në provim u ballafaquan me një kërkesë të tillë. U dha një fragment tjetër, po nga i njëjti autor, nga Kafka, por që nuk ishte rekomanduar në program”. Të njëjtin gjë e konfirmon edhe mësuesja e Letërsisë, Luesla. Ajo thotë se në udhëzimin e mbërritur nga MASH, ishte e shkruar që mësuesit duhet të përgatisnin nxënësit me fragmentin e shkëputur nga teksti shkollor që ata kanë. Kjo madje është përforcuar më shumë edhe gjatë takimit që mësuesit kanë pasur me një nga formulueset e programit, që ka konfirmuar faktin se në test do të bjerë vetëm fragmentin që ndodhet në tekstin shkollor përkatës. “Por në të vërtetë, atë ditë ka ndodhur e kundërta, ku nxënësit janë përballur me një fragment tjetër që nuk ishte i rekomanduar, pavarësisht se ishte brenda të njëjtit autor”,- shprehet mësuesja e Letërsisë, duke thënë në përfundim të bisedës, se tani nuk u ka mbetur gjë tjetër vetëm të shikojnë dëmin që u është bërë nxënësve nga ndryshimi i fragmentit në test.

    MASH, shkel udhëzimin e nxjerrë po vetë. “Nuk kemi thënë që në test do bjerë fragmenti që maturantët kanë mësuar në shkollë”

    MASH: Lexoni të gjithë librin

    Gazeta “Shekulli” publikon programin lëndor të Letërsisë, ku shikohet qartë edhe shënimi i specialistëve të arsimit për fragmentin

    Menjëherë pas ankesës së mbërritur, në redaksinë e gazetës “Shekulli” kërkuam të marrim një informacion më të detajuar lidhur mbi problemin e ngritur nga maturantët. Të vënë në dijeni për problemin e shfaqur në shkollën jopublike “Willson”, specialistët e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve, janë shprehur se teksti ka qenë i formuluar saktë dhe nuk ka pasur asnjë parregullsi. Lidhur mbi pretendimin e maturantëve, mbi mospërputhjen e fragmentit me atë të mësuar në shkollë, po këta specialistë janë shprehur se maturantët duhet të lexonin të gjithë librin “Letër babait”, të Kafkës, duke harruar se janë po ata vetë që kanë nxjerrë një udhëzim, ku thuhet qartësisht se “mësuesit do të përgatisin nxënësit për provim, duke punuar me fragmentet e shkëputura nga tekstet e përzgjedhura në shkollën e tyre”. Ky sqarim është i vendosur në formën e shënimit edhe në tabelën e programit lëndor për Letërsinë, për drejtimin natyror, ku gjenden për çudi edhe emrat e specialistëve që janë marrë me hartimin e testit të provimit të Gjuhë-Letërsisë. Ajo që kërkojnë tashmë maturantët, nuk është më rikthimi nga e para e provimit, por një vëmendje më e madhe nga hartuesit e testeve, kjo për të shmangur edhe ngjarje të papëlqyeshme, sikurse ka ndodhur rëndom gjatë viteve të fundit.

    Dritan Laci

    Vazhdo leximin

  • Pollo: Duhet të marrin fund Doktoraturat e kopjuara

    Në universitetet shqiptare, ka ende doktorantë të cilët i fitojnë titujt shkencorë, duke kopjuar materiale të botuara kohë më parë nga kolegë të tjerë. Madje, sipas ministrit të Arsimit, Genc Pollo, kjo metodë aspak e ndershme në fitimin e titullit “Doktor” në institucionet e Arsimit të Lartë Publik, tashmë ka marrë edhe trajtën e anekdotave që thuhen lart e poshtë kafeneve.

     Dritan Laci

    Sat, 14 Jun 2008

    Ministri i Arsimit bën “për ujë të ftohtë” rektorët. Ende, në universitete shpërndahen tituj me punime të vjedhura

    Punimet e kopjuara, janë kthyer në anekdota kafenesh. Tani, doktorantët do paraqesin punimet para Këshillit të Profesorëve

    Ministri i Arsimit, Genc Pollo
    Në universitetet shqiptare, ka ende doktorantë të cilët i fitojnë titujt shkencorë, duke kopjuar materiale të botuara kohë më parë nga kolegë të tjerë. Madje, sipas ministrit të Arsimit, Genc Pollo, kjo metodë aspak e ndershme në fitimin e titullit “Doktor” në institucionet e Arsimit të Lartë Publik, tashmë ka marrë edhe trajtën e anekdotave që thuhen lart e poshtë kafeneve. Deklarata nga kreu i Arsimit është lëshuar, në fjalimin e mbajtur me rastin e zgjedhjes së Kryetarit të Konferencës së Rektorëve, në prani të këtyre të fundit. Me ton të butë, por të hidhur sa s’ka më, ministri Pollo, u ka tërhequr veshin drejtuesve të institucioneve lidhur mbi cilësinë e dobët të doktoraturave, madje nuk ka nguruar ta cilësojë ndonjërin prej tyre, edhe si populist, që ngre zërin në mënyrë të gënjeshtërt, se gjoja ministria ka bllokuar universitetet.

    “Flas ndoshta për datën e aplikimit, por të tërë ju e dini, që ashtu sikur se më keni thënë në takime private, krahas doktoraturave të shkëlqyera që meritojnë vëmendje, ka edhe raste kur kandidatë që kërkojnë të fitojnë titullin shkencor “Doktor”, sjellin në mënyrë jo të ndershme, jo transparente me departamentin dhe me fakultetin ku ata realizohen, materiale të kopjuara, të cilat nuk janë punime shkencore të kryera nga ata vetë”. Për këtë arsye, ka shtuar kreu i Arsimit, përmes një vendimi përkatës të dalë nga Këshilli i Ministrave, është vendosur që doktorantët të mos i paraqesin më punimet përballë një jurie të përbërë shpeshherë jo në mënyrën e duhur, por përpara Këshillit të Profesorëve, që përfaqësohet nga profesorë që e kanë merituar këtë titull. Po kështu, doktorantëve do t’u kërkohet të paraqesin përpara këshillit, një punim shkencor të botuar në një revistë të huaj dhe të vlerësuar nga akademikët në Perëndim.

    Një temë tjetër që ka prekur ministri i Arsimit në fjalën e tij, të mbajtur para rektorëve, ka qenë edhe ajo e marrëdhënieve midis institucionit që ai drejton dhe universiteteve. Ai është shprehur se nuk ka asnjë tendencë për bllokim nga MASH të punëve në universitete, duke hedhur poshtë akuzat e drejtuesve të universiteteve, për tendencë të dikasterit të Arsimit, për të nënshtruar institucionet e arsimit të lartë, nëpërmjet udhëzimeve që bien ndesh me ligjin përkatës. Në mënyrë të tërthortë, kreu i Arsimit është i është përgjigjur edhe kundërshtimeve të ardhura nga universitetet lidhur mbi udhëzimin e fundit, ku përcaktohen orët për personelin akademik. “Është përgjegjësi e gjithë drejtuesve në universitete, që personelin akademik ta shfrytëzojnë maksimalisht, brenda normave të miratuara me ligj dhe brenda normave të botës universitare, në dobi të studentëve, në mënyrë që ato orë që janë të normuara, vërtetë të zhvillohen. Të mos kemi raste të lënies bosh të auditorëve, të kryerjes së punëve private, ndërkohë që merret rroga e shtetit”,- ka përfunduar fjalën ministri Pollo.

    {Shekulli}

  • Udhëzimi i MASH për konkursin për Artet, Sportet, Arkitekturën

    Maturantët që do të pranohen në këto Institucione, përveç rezultateve të Maturës Shtetërore do tu duhet të jenë të suksesshëm edhe në këto konkurse

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikoi dje udhëzimin për organizimin e konkurseve të pranimit që do të realizohen në disa Institucione publike të Arsimit të Lartë. Sipas udhëzimit, pranimet e studentëve në Akademinë së Arteve, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, në programin e studimit të Arkitekturës të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” të Universitetit të Shkodrës, ashtu si edhe këto dy vjet do të bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore dhe të rezultateve nga konkursi i pranimit i organizuar nga këto Institucione Publike të Arsimit të Lartë. Maturantët që do të pranohen në këto Institucione, përveç rezultateve të Maturës Shtetërore do tu duhet të jenë të suksesshëm edhe në këto konkurse, që organizohen për shkak të profilit të veçantë të këtyre programeve, në bazën e të cilave qëndron talenti dhe përgatitja fizike. Këtë vit, MASH vendosi ti organizojë këto konkurse në korrik, në mënyrë që raundet e pranimeve në universitete, sipas sistemit Meritë-Preferencë (MeP), të përfundojnë më herët dhe brenda javës së parë të vitit akademik 2008-2009. Sipas udhëzimit, në Akademinë e Arteve rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20% dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 80%. Në bazë të propozimit të këtij institucioni, kandidati që nuk do të marrë 25% të pikëve të konkursit të pranimit nuk fiton të drejtën për të studiuar në programet e studimit të kësaj Akademie për vitin akademik 2008-2009. Ndërkohë, në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” në Tiranë dhe në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës raporti mes provimeve të Maturës dhe konkursit të pranimit do të jetë në masën 30% (Matura) me 70% (konkursi). Në programin e studimit “Arkitekturë” në Universitetin Politeknik të Tiranës ky raport i rezultateve do të jetë në masën 35% me 65%, ku përsëri peshën kryesore do ta ketë konkursi i IAL. Afati i regjistrimeve për të gjithë maturantët, që do të kërkojnë në Formularin A2 këto programe studimi, do të jetë periudha nga data 1 deri në 18 korrik 2008, nga ora 09.00, deri në orën 17.00 pranë sekretarive të Fakulteteve përkatëse. Udhëzimi parashikon gjithashtu që rektoratet dhe dekanatet e Institucioneve publike të Arsimit të Lartë të shpallin në Këndin e Njoftimeve dhe në mjediset e dukshme të institucioneve të tyre: datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme, për të siguruar një ecuri normale të procesit të regjistrimeve në konkursin e pranimit, për ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë.


    Data e zhvillimit të konkurseve dhe tarifat

    1. Akademia e Arteve

    Për të gjitha programet e studimit në
    a. Fakultetin e Muzikës : 22 - 30 korrik 2008.
    b. Fakultetin e Artit Skenik : 22 - 26 korrik 2008
    c. Fakultetin e Arteve Figurative : 22 - 25 korrik 2008
    2. Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”

    Për të gjitha specialitetet: 22 - 27 korrik 2008

    3. Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës

    Për programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte”: 28- 31 korrik 2008

    4. Universiteti Politeknik i Tiranës

    Për programin e studimit “Arkitekturë”: 26 - 28 korrik 2008

    III- Tarifat e regjistrimit të kandidatëve pjesëmarrës në konkurset e pranimit në Institucionet e mësipërme publike të Arsimit të Lartë, do të jenë:

    1. Në të gjitha programet e studimit në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”: 4 000 lekë (te reja)

    2. Në të gjitha programet e studimit në
    Akademinë e Arteve: 4 500 lekë (te reja)

    3. Në programin e studimit “ Edukim fizik dhe sporte” në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” : 4 000 lekë (te reja)

    4. Në programin e studimit “Arkitekturë” në Universitetin Politeknik të Tiranës: 4 500 lekë. (te reja)


    Hartimi i testeve të Maturës Shtetërore
    në kushte të rrepta sigurie

    Mjediset e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) janë të izoluara me të gjitha mënyrat e kontrollit nga mjedisi i jashtëm dhe personeli futet në këto mjedise pasi Policia e Shtetit ka inspektuar këto mjedise me metal-detector. Personeli i nënshtrohet kontrollit trupor të policisë në momentin e hyrjes në Agjenci dhe pas fillimit te KOEPS-it (Koha e Ekspozimit Potencial të Sekretit - periudha e izolimit, ku askush nuk mund të dalë nga këto mjedise, pa lejen e MASH dhe Policisë së Shtetit) për të evituar praninë në këto mjedise të telefonave dhe çdo pajisjeje tjetër telekomunikuese. Por që nga viti 2006 titullari i AVA-s me autorizim të MASH-it dhe leje të Policisë së Shtetit mban një celular të kontrolluar (pa akses interneti) për të komunikuar me eprorët në rast emergjence teknike e shëndetësore. Tërësia e masave, kushteve të sigurisë dhe përzgjedhja cilësore e profesionale e personelit, përbëjnë një garanci për të gjithë, se procedura e përgatitjes së testeve do të zhvillohet në kushtet e korrektesës dhe sekretimit të plotë në përputhje me rregullat në fuqi.

    Drejtoria Rajonale e Arsimit, merr
    masat për provimet e Maturës Shtetërore

    Një ndër prioritetet e reformës arsimore është edhe matura shtetërore, e cila zhvillohet për të tretin vit në vendin tonë. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Kujtim Mema, tha dje se “pas marrjes së urdhrit të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, edhe ne si drejtori hartuam një plan pune për ndjekjen e problemeve për zhvillimin e provimeve. Të gjithë sektorët e drejtorisë morën detyrat përkatëse për ti realizuar brenda afatit të përcaktuar duke bashkëpunuar edhe me drejtoritë e shkollave të mesme”. Gjithashtu sipas Memës u ngrit edhe komisioni i Maturës Shtetërore pranë drejtorisë, komision i cili menjëherë hyri në veprim për përmbushjen e detyrave që rrjedhin nga udhëzimet e MASH. Tashmë në të gjitha shkollat e mesme të rrethit janë dërguar materialet si dhe programet orientuese për lëndët që do të japin provim nxënësit. Sipas Memës” ndryshe nga vitet e tjera në maturën shtetërore të vitit 2008 u zbatua Këshillimi i Karrierës për nxënësit maturantë, me anë të të cilit çdo nxënës ka marrë informacionet e duhura nga drejtoria e shkollës së mesme për takimet e zhvilluara në universitete në kuadrin e “Ditëve të Gjimnazistëve në Universitete”.

    {Gazeta55}

  • Si të përballosh stresin e provimeve?

    Si të përballosh stresin e provimeve?

    Dhimbjet e kokës janë të shpeshta, nuk përqëndrohesh, të flihet shumë ose s’ke gjumë fare, përjeton ankth. Ka të ngjarë që këto shenja t’i keni nëse keni për të dhënë provim të nësermen ose gjatë javës.

    Xhuljeta Lamkaj

    Janë simptoma të zakonshme për të gjitha ata studentë që janë me provime në këtë periudhë të përfundimit të vitit universitar. Më shumë stres përjetojnë ata që diplomohen, studentët që janë në përfundim të studimeve akademike. “Kam frikë se mos nuk diplomohem. Ndihem shumë e stresuar pasi nëse nuk marr diplomën e kam të pamundur të punoj në profesionin tim dhe nuk e di se çdo bëj dhe ku do të punoj”- u shpreh një studente në prag të diplomimit në Universitetin e Tiranës. Për shkak të stresit shumë kanë simptomat e mësipërme. Për mos të thënë se disa të tjerë edhe u bie të fikët para hyrjes në provim ose gjatë tij. Ana T. studente për Arkeologji në vitin e tretë, në Fakultetin Histori-Filologji pas provimit i ra të fikët. Mjekët e diagnostikuan se kjo ka ardhur si pasojë e stresit për të cilin trupi e ka pasur të pamundur ta përballonte.

    Megjithatë çfarë duhet për të mësuar në mënyrë të efektshme dhe për ta përballuar më mirë stresin para provimeve.

    “Jam programuar në mënyrë që të mësoj në mënyrë të efektshme. Çohem herët që në mëngjes dhe pasi ha mëngjes filloj menjëherë të studioj” – tha Marsila Mahmutllari, studente në vitin e katërt për Gjuhë-Letërsi, në Universtitetin e Tiranës.

    Megjithatë mes shumë këshillash të specialistëve në këtë fushë do të shkëputnim disa gjëra që ndihmojnë në përballimin e stresit para provimeve. Ushqimi, pushim i mirë dhe program për të mësuar në mënyrë të efektshme.

    Specialistët këshillojnë që brumërat, orizi, frutat, perimet, vezët e ziera dhe qumështi i ngrohtë është i mirë. Ndërsa duhet hequr dorë nga kafja, e cila shoqëron rëndom studentët natën para provimeve. Simptomate mësipërme si ankthi, dhimbja e kokës, pagjumësia mund të fitohen nëse i kontribuon trupit me ushqime me vlera. Nuk duhet të mungojë buka, orizi, qepa, djathi i freskët, vezët e ziera frutat e ëmbla dhe mjalti që favorizojnë gjumin dhe ndihmojnë organizmin të qetësohet për të përballuar energjinë dhe përqëndrimin që duhet para sfidave shkollore.

    Ajo që është e rëndësihme për të ulur stresin është edhe studimi i mirë para provimeve. Të studiosh në mënyrë të efektshme është e mundur. Edhe në këtë fushë specialistët këshillojnë disa metoda. “Të studiosh duke mbajtur shënime të ndihmon të mbash mend më shumë” – ka sugjeruar Zydi Dervishi, sociolog dhe pedagog në universitetin e Tiranës. Një metodë e mirë e provuar nga disa studentë është kjo:

    - HIDHI një sy materialit

    Kjo do të thotë që të shohësh me të shpejtë materialin që të është caktuar, duke parë nëntitujt, kapitujt e kështu me radhë me qëllim që të kesh një ide se çfarë trajtohet.

    -Formulo PYETJE

    Pyetjet formuloji në bazë të kapitujve ose frazave kyçe. Kjo gjë të ndihmon të përqendrohesh në atë që lexon.

    -LEXO duke kërkuar përgjigjet e këtyre pyetjeve

    -Pasi të kesh mbaruar çdo paragraf ose pjesë PËRSËRIT përmendësh ose thuaj me fjalët e tua atë që ke lexuar, pa parë në libër.

    -Kur të kesh mbaruar gjithë materialin, RISHIKO përsëri nëntitujt, duke provuar sa kujton nga çdo pjesë!

    Disa që e kanë provuar këtë metodë kanë pohuar se i kanë ndihmuar që të mbajnë mend rreth 80 përqind të materialit.

    Ajo që mbetet është vetëm të zbatosh këshillat dhe SUKSESE në provime!

    {Shekulli}

    Vazhdo leximin

  • Formulari A2, vetëm një kopje, nuk ka shans të dytë

    Nuk ka ende një datë të saktë, për plotësimin e Formularit A2 në shkollat e mesme, ndërkohë që e vetmja gjë që dihet është se, formulari në të cilin janë vendosur preferencat do të jetë në duart e maturantëve, fill pas provimit të dytë me detyrim në lëndën e Matematikës më datë 17 Qershor.

    Dritan Laci

    MASH, ende nuk ka datë për Formularin A2, pritet përfundimi i provimeve me detyrim të Maturës Shtetërore

    Formulari A2, kushton 2 mijë lekë. Kujdes, kush rrethon gabim, nuk ka mundësi të marrë formular të ri

    Nuk ka ende një datë të saktë, për plotësimin e Formularit A2 në shkollat e mesme, ndërkohë që e vetmja gjë që dihet është se, formulari në të cilin janë vendosur preferencat do të jetë në duart e maturantëve, fill pas provimit të dytë me detyrim në lëndën e Matematikës më datë 17 Qershor. Edhe këtë vit, formularët e shpërndarë në shkolla do të jenë unikë, çka do të thotë se në rast të rrumbullakosjes gabim të preferencave, maturantët nuk do të kenë mundësi të pajisen me formular të ri, kjo pasi Formulari A2 nuk është i riprodhueshëm. Të drejtën për t’u pajisur me Formularin A2, do ta kenë vetëm maturantët që kanë plotësuar kërkesat për provime me zgjedhje. Do të jenë po këta maturantë, të cilët pas plotësimit të formularit, në bazë të një programi kompjuterik, do të shpallen fitues në një degë, duke respektuar dëshirën fillestare dhe kriterin e pikëve të grumbulluara në degët ku ata kanë aplikuar.

    ***

    Për të marrë Formularin A2, maturantët duhet fillimisht të kenë derdhur në bankë pagesën prej 2 mijë lekësh, të caktuar nga Ministria e Arsimit, dhe më pas të bëjnë dorëzimin e faturës në sekretarinë e shkollës ku janë nxënës. Formulari A2 do të jetë i personalizuar sipas të dhënave që maturanti ka hedhur në Formularin A1. Para se formulari të kalojë në duart e maturantëve, ai do të plotësohet fillimisht me përgjegjësi nga mësuesi kujdestar. Në kokën e Formularit A2, ashtu si edhe në Formularin A1, do të jetë e vendosur sigla e Maturës Shtetërore, emri i shkollës, rrethi dhe numri i identifikimit të shkollës, ndërsa në pjesën qendrore, ID e nxënësit, emri, atësia dhe mbiemri i tij, klasa që ka mbaruar si edhe kodifikimi i të dhënave. Të drejtën për të hedhur notën mesatare në kuadratin djathtas-lart në Formularin A2, do ta kenë vetëm mësuesit kujdestarë dhe askush tjetër. Notë mesatare, do të cilësohet nota që maturantët kanë marrë gjatë katër ose pesë viteve të studimit, e cila do të vendoset në Dëftesën e Pjekurisë në përfundim të ciklit shkollor. Për nxënësit të cilët kanë përfunduar shkollën në vitin e parë të zhvillimit të Maturës Shtetërore, do të merret për bazë nota mesatare e shënuar në Dëftesën e Pjekurisë, ndërsa për nxënësit të cilët kanë përfunduar para vitit 2006, do të nxirret nota mesatare e katër ose pesë viteve të studimit. Në këtë llogaritje nuk do të merren parasysh notat e provimeve të maturës. Për të nxjerrë notën mesatare, për maturantët që kanë plotësuar Formularin A1, do të shërbejnë dëftesat origjinale në shkolla, ndërkohë që çdo nxënës do të vihet në dijeni për notën mesatare që do të vendoset në Formularin A2 të tij.

    ***

    vazhdon...

    Vazhdo leximin

  • Provimet me detyrim, pikët e ushtrimit në Gjuhë-Letërsi

    Data 9 qershor po afron, ashtu sikurse janë shtuar ndjeshëm edhe emocionet te maturantët, të cilët në këtë ditë do të përballen me provën e parë të vërtetë, atë të testimit të njohurive të fituara në 4 vitet e shkollës së mesme. Ashtu sikurse edhe është vendosur në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave

    Dritan Laci

     

    Mon, 26 May 2008 08:52:0

    Model testi në Gjuhë-Letërsi, pikët për shkollat e mesme të Përgjithshme, Pedagogjike, Gjuhët e Huaja, Artistike, Sportive dhe kohë të shkurtuar

     

    Data 9 qershor po afron, ashtu sikurse janë shtuar ndjeshëm edhe emocionet te maturantët, të cilët në këtë ditë do të përballen me provën e parë të vërtetë, atë të testimit të njohurive të fituara në 4 vitet e shkollës së mesme. Ashtu sikurse edhe është vendosur në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave, Gjuhë-Letërsia do të jetë provimi i parë me detyrim, ku maturantët do të masin nivelin e nxënies. Provimi i parë, që siç theksuam në hyrje të shkrimit do të jetë me datë 9 qershor, do të pasohet një javë më pas me testimin në Matematikë, që mbyll edhe sesionin e parë të provimeve me detyrim. Për t’u ardhur në ndihmë maturantëve, gazeta “Shekulli” bën publike në faqet kushtuar arsimit, modelin e Gjuhë-Letërsisë të përdorur gjatë maturës së vitit të kaluar, model në të cilin gjithsecili mund të shikojë skemën e ndërtimit të testit, si edhe pikët për secilin ushtrim të dhënë. Ky model është i vlefshëm si për shkollat e mesme të Përgjithshme ashtu edhe për shkollat e mesme Pedagogjike, Artistike, Sportive, Gjuhëve të Huaja dhe me kohë të shkurtuar. Në bazë të këtij modeli testi dhe pikëve që ndodhen në ushtrim, maturantët mund të llogarisin pikët në të dy linjat e vendosura, si në Gjuhë dhe Letërsi, gjë e cila do t’i ndihmojë për të parë gjendjen dhe mundësinë që kanë për të fituar pikët maksimale në këtë provim.

    Vazhdo leximin

  • Gjuhëtarët: Disiplina e shqipes po shthuret

    Gjuhëtarët: Disiplina e shqipes po shthuret

    Gjuha shqipe nuk po respektohet as në të folurën e përditshme, por as në atë zyrtare. Gjithmonë e më shumë vihet re se në mbishkrimet e afisheve dhe në gjithë praktikën shkrimore me karakter publik, ka thyerje të disiplinës gjuhësore. Alarmin e kanë dhënë gjuhëtarët, të cilët pohojnë se disiplina e gjuhës shqipe është shthurur dhe ka rënë kujdesi ndaj gjuhës

    Saimir Muzhaka

    Gjovalin Shkurtaj

    Gjuhëtarët japin alarmin se po shthuret disiplina e Gjuhës Shqipe nga mungesa e rregullave drejtshkrimore dhe fjalët e huaja

    Shkurtaj: E ardhmja e Shqipes nuk do të jetë e mirë, nëse nuk e mbrojmë gjuhën tonë të bukur

    Gjuha shqipe nuk po respektohet as në të folurën e përditshme, por as në atë zyrtare. Gjithmonë e më shumë vihet re se në mbishkrimet e afisheve dhe në gjithë praktikën shkrimore me karakter publik, ka thyerje të disiplinës gjuhësore. Alarmin e kanë dhënë gjuhëtarët, të cilët pohojnë se disiplina e gjuhës shqipe është shthurur dhe ka rënë kujdesi ndaj gjuhës. "Gjuha shqipe është e gjerë dhe e bukur shumë, ka fjalë fort të mira për të venë në vend të fjalëve të huaja". Këtë shprehje e ka thënë shumë kohë më parë Naim Frashëri, e, me sa duket, sot tingëllon më aktuale se kurrë. Sot gjen me qindra emërtime nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar, të cilat vuajnë nga gabimet drejtshkrimore apo fjalët e huaja. Është bërë e modës të vendosen fjalë të huaja, të pahijshme, kur shumë mirë këto mund të gjenden brenda fjalorit të pasur të Shqipes. Gjuhëtarët japin shqetësimin e tyre, duke theksuar se kjo situatë nuk ndikon mirë në formësimin e brezave të rinj, të cilët i ndeshin këto fjalë përditë. Gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj shprehet për gazetën "Shekulli" se kjo situatë nuk është vetëm e gjuhës shqipe, por edhe e krejt kulturës së sotme shqiptare, e cila na trishton dhe na bën të trembemi se e ardhmja e shqipes nuk do të jetë e mirë, në qoftë se nuk punojmë me gjithë shpirt dhe përkushtim për ta mbrojtur gjuhën tonë të bukur.

    Gabimet drejtshkrimore

    Ka shumë raste kur tabelat e emërtimeve përmbajnë gabime të shumta në drejtshkrim, shpesh ë-të mungojnë, a thua se kjo germë nuk ekziston në trajtën e shkruar të shqipes. Një shembull i tillë, është "Ministria e Brendeshme" në një tabelë të Komandës në Tiranë. Fjala "e Brendeshme" përmban një "ë" të panevojshme me rregull drejtshkrimor, sipas Prof.dr.Shkurtaj. Ndërsa Pallatit të Kulturës në qendër të Tiranës i mungon nyja "i", problem ky që është përhapur së shumti pasi mungesa e nyjave është bërë e modës nëpër emërtime. Një qendër shëndetësore harron të ndajë fjalën nga nyja, duke nxjerrë kështu një fjalë të re, "për ruajtjen e", në vend që të shkruante "për ruajtjen".

    Mania e fjalëve të huaja

    Shqipja gjithnjë e më shumë po vuan edhe nga fjalët e huaja, të cilat janë kthyer në një epidemi për bizneset apo aktivitetet private. Të gjithë pëlqejnë të vendosin emra të huaj. "Ka lindur dëshira për të qenë modernë. Kjo nuk është diçka e keqe, por është negative dëshira e disave për të shfaqur modernitetin me fjalë të huaja",- tregon Shkurtaj, duke shtuar se të tmerron trumbeta e drafteve, implementimeve, fizibiliteteve dhe kushedi sa fjalëve të huaja që kanë hyrë në gjuhën tonë.

    Shkurtaj: Ja kush duhet të kujdeset për gjuhën

    Probleme drejtshkrimore në tekstet e rrugëve apo tabelat e ndryshme të aktiviteteve, qofshin këto private apo publike, nuk i ka vetëm Tirana, por edhe qytete të tjera të Shqipërisë. Pothuajse i gjithë vendi është mbushur me mbishkrime në gjuhë të huaja ose në një shqipe jo të shkruar mirë. Sipas Prof.dr Gjovalin Shkurtaj, kjo situatë ngarkon me përgjegjësi Ministrinë e Kulturës, Bashkinë e Tiranës, komunat apo bashkitë e vogla në vend, të cilat e kanë për detyrë funksionale të kontrollojnë çdo gjë që shkruhet nga pikëpamja e konceptit, nëse lejohet apo jo. "Veprimtaritë, ndërmarrjet mund të jenë private por nuk ka asnjë veprimtari që të mos jetë e licencuar nga shteti. Kështu, bashkë me licencën duhet caktuar qartë edhe emërtimi, duke zbatuar rregullat e drejtshkrimit dhe normat e Gjuhës Shqipe".

  • Juridiku, propozohet ulja e pranimeve

    Juridiku, propozohet ulja e pranimeve

    Dritan Laci

    Universiteti i Tiranës, propozon 10 për qind rritje të pranimeve për disa fakultete

    Nga 600, këtë vit, te Drejtësia mendohet të pranohen rreth 400 studentë. Zv/rektori Varfi, thotë se shkurtimi vjen si mungesë e pedagogëve

    universitetAuditorët vazhdojnë të vuajnë mungesën e stafit të duhur akademik, por kjo duket se nuk i pengon institucionet drejtuese të arsimit të lartë publik, të shtojnë nga viti në vit numrin e pranimeve të studentëve. Me shumë siguri, kështu duket se do të ndodhë edhe këtë vit akademik në Universitetin e Tiranës, ku përflitet për tjetër shtim të konsiderueshëm të numrit të studentëve që do të ulen për herë të parë në auditorë. Nonda Varfi, zv/rektor në Universitetin e Tiranës, është shprehur në një prononcim për gazetën "Shekulli" se nuk ka vend për shqetësime pasi këtë vit, krahas rritjes së numrit të pranimeve, do të ketë edhe shtim të numrit të personelit akademik. Ai sqaron se deri në fillim të vitit akademik, puna në disa fakultete të cilat kanë dyndje të lartë të studentëve, do të jetë vendosur në vijë.

    Shtohen kuotat, auditorët në vend numëro

    Numri i pranimeve në vitin e ri akademik 2008-2009 mendohet të rritet me 10 për qind krahasuar me vitin akademik në vazhdim. E thënë ndryshe, në muajin tetor, në auditorë do të ulen, gjithmonë nëse propozimet e Rektoratit të Universitetit të Tiranës miratohen nga Këshilli i Ministrave, rreth 500 studentë më shumë se vitin e kaluar. Gjithsesi, rritja nuk do të jetë në progres të drejtë për të gjitha degët, pasi është menduar që gjatë vitit të ardhshëm akademik disa degë, të ashtuquajtura të privilegjuara, të kenë shkurtim të konsiderueshëm të numrit të pranimeve. Zv/rektori i Universitetit të Tiranës, Nonda Varfi është shprehur se ky shkurtim i numrit të pranimeve, është bërë me qëllim për t'i dhënë balancën e duhur disnivelit që ekziston midis numrit të studentëve në raport me atë të pedagogëve. Sipas një studimi të kryer kohë më parë, në Universitetin e Tiranës rezulton se raporti student/pedagog është 1 me 10 ndërkohë që ky raport, sipas standardeve të universiteteve evropianë, nuk duhet të jetë më shumë se 1 me 4.

    Vazhdo leximin

  • 22 mijë nxënës të Kosovës sot i nënshtrohen Testit Kombëtar të Maturës

    07.06.2008
    Prej orës 10:00 të mëngjesit të sotëm, në 29 komuna të Republikës së Kosovës ka filluar mbajtja e provimit të maturës përreth 22 mijë nxënës, kanë njoftuar zyrtar të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

    Prej orës 10:00 të mëngjesit të sotëm, në 29 komuna të Republikës së Kosovës ka filluar mbajtja e provimit të maturës përreth 22 mijë nxënës, të cilët do të testohen në 85 qendra testimi, kanë njoftuar zyrtar të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Testi do të përbëhet nga 100 pyetje, 60 % e të cilave do të jenë nga lëndët bazike, ndërsa koha e plotësimit të testit do të jetë 180 minuta.
    Provimin e maturës do ta kalojnë të gjithë ata nxënës të cilët i arrijnë 50 % të pikëve të testit, ndërsa në vlerësimin e testit nuk do të ketë poenë negativë.

    Kjo njëherësh iu mundëson nxënësve që të sigurojnë 50 % të pikëve për regjistrim në universitet, derisa 20 % do të sigurohen nga suksesi i shkollës së mesme dhe 30 % nga vlerësimi i brendshëm i njësive akademike.

    Testi do të jetë i përbërë nga dy pjesë, derisa emrat e nxënësve do të vihen në mënyrë të koduar.

    Sipas kryetarit të komisionit qendror shtetëror të maturës për të evituar mundësitë e keqpërdorimit, shtypshkronja ku janë shtypur testet po mbahet sekret, dhe është duke u mbikëqyrur nga pjesëtar të SHPK-së.

    Gjithashtu objektet shkollore sot do të jenë të siguruara nga SHPK-ja, ndërkaq testi do të monitorohet nga rreth 1 mijë e 600 administrues të cilët do të jenë të përzier nëpër komuna. (rtk)