40% e mësuesve ngelës

klasaShpresa Mezini

Rezultatet e arritura nga mësuesit në Provimin e Shtetit kanë nxitur reagime nga më të ndryshmet. Nga njëra anë, drejtuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, që dyshojnë në aftësitë e mësuesve që kanë punësuar, nga ana tjetër prindërit, që nuk po dinë më se ç’mësojnë fëmijët e tyre në shkolla.

Por në një kohë kur notat janë të “frikshme”, konkretisht 40% e arsimtarëve janë ngelës, këta të fundit kontestojnë notat duke hedhur dyshime mbi procesin elektronik të vlerësimit.

“Lajmi për numrin e lartë të mësuesve mbetës në provimin e shtetit bëri bujë të madhe, aq sa u dhanë edhe paralajmërime për largim nga detyra. Unë personalisht, edhe pse hallit tim i bashkohen edhe kolegë të tjerë, kam bërë të gjitha ballafaqimet e përgjigjeve që kam dhënë për pyetjet e tezës dhe arrita në konkluzionin se shumë prej tyre korrespondonin me çelësin e përgjigjeve të shpallura në sajtin zyrtar të MASH. Përderisa përgjigjet e mia, në mos identike me ato të Ministrisë së Arsimit, kuptimin e kanë të ngjashëm, pse në vlerësim ne na zbriten pikët. Na është thënë që në fillim, që rëndësi ka thelbi, jo mënyra sesi e interpreton secili, sepse natyrisht kjo është individuale. Në përputhje me udhëzimin, ne respektuam çdo pikë të tij. Ne kontestojmë mënyrën e vlerësimit elektronik që iu bë testeve, kështu që kemi dërguar një letër zyrtare në Ministrinë e Arsimit, për të kërkuar llogari për këtë avari, të krijuar prej tyre, fakt që po rrezikon punën tonë disavjeçare”, tha Frida, mësuese prej 5 vjetësh në një prej shkollave të mesme në kryeqytet.

Ajo, por edhe kolegë të tjerë të saj, konkretisht mësues në shkollën “Hasan Vogli”, “Jeronim De Rada”, “Gustav Majer” pohojnë për gazetën “Shqip” të njëjtin shqetësim. Ata janë të bindur se procesi elektronik i vlerësimit ka pësuar defekte të herëpashershme duke zbritur pikë për pyetje, përgjigjet e të cilave ishin korrekte. Duke qenë përballë kësaj situate, një pjesë e arsimtarëve, që rezultojnë mbetës, theksojnë se nuk e njohin rezultatin dhe se do të bëjnë të pamundurën deri sa Ministria e Arsimit t’u lejojë atyre një testim tjetër, përpara sesionit të tretë, përkundrejt të njëjtës pagesë, për sa kohë gabimi është i tyre.

Rezultatet

Provimi i shtetit është kthyer në të vetmin filtër që seleksionon profesionistët e rinj. Kështu ka ndodhur edhe me studentët e rinj, të cilët diplomohen në mësuesi, por që për ta ushtruar profesionin e arsimtarit duhet që më parë të rezultojnë kalues në provimin e shtetit.

Duke iu referuar të dhënave zyrtare, nga 667 kandidatë që morën pjesë në provimin e parë të shtetit për këtë profesion, rreth 40 për qind e tyre nuk kanë mundur të kapin pragun minimal të pikëve, pra kanë mbetur në provimin e parë të shtetit, duke mos pasur kështu mundësi të ushtrojnë këtë profesion në sezonin e ri shkollor. Sipas drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Niko Terezi, pjesëmarrja në testim është rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. “U regjistruan 777 kandidatë dhe morën pjesë në provim 667 kandidatë, nga të cilët 60% u vlerësuan me notë pozitive, ndërsa 40% nuk e kaluan testin”, shpjegoi Terezi. Sipas tij, kandidatët ngelës të këtij sezoni, mund të futen në provim shteti sërish në muajin dhjetor, ku mund t’i nënshtrohen ritestimit. Ata kanë të drejtë të testohen deri në 5 herë.(Gazeta Shqip)

shkolla mësues dar provim

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail