Sinqeriteti i papërballueshëm i një shantazhi

Nisur nga sensibiliteti i madh politik që po shoqëron rrëzimin e dekreteve të Presidentit, nga Kuvendi i Shqipërisë, është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë ka ndodhur dhe më pas të nxjerrim disa konkluzione.

Nga Igli Totozani

Nisur nga sensibiliteti i madh politik që po shoqëron rrëzimin e dekreteve të Presidentit, nga Kuvendi i Shqipërisë, është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë ka ndodhur dhe më pas të nxjerrim disa konkluzione.

Le të analizojmë më konkretisht aktivitetet e secilit institucion, në rastin konkret, për të verifikuar “normalitetin” e kësaj procedure.

Përsa i takon institucionit të Presidentit, ky i fundit, në përputhje me nenin 136 të Kushtetutës së Shqipërisë, dekretoi në 15 maj 2008 pesë gjyqtarë të lartë. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë por edhe sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese (nr 2 të 18 janarit 2005) këtu mbaron roli i Presidentit. Nisur nga çka përmendëm më sipër, por edhe në kuadër të rolit të veçantë të këtij institucioni në lidhje me sistemin e drejtësisë në përgjithësi, të balancimit të pushteteve gjithashtu, legjislatori i ka njohur këtij institucioni një sovranitet të madh në emërimet e rëndësishme që ai kryen. Në mënyrë të veçantë, për të ruajtur dhe mbrojtur ndarjen e pushteteve, vendimi i tij në formë dekreti është totalisht në kuadrin e pushtetit të tij diskrecional.

Në përputhje me sa më lart, me dekretimin, përfundon roli i këtij institucioni dhe procedura vazhdon me Kuvendin e Shqipërisë. Ky institucion, për nga vetë natyra e tij dhe sidomos mënyra e tij e të shprehurit, që është votimi në seancë, e fillon procedurën e tij duke futur në mënyrë automatike - sipas vetë Rregullores së institucionit - dekretet në programin javor të punimeve të Parlamentit. Po sipas kësaj Rregulloreje, Komisioni i Ligjeve mund të ngarkohet me shqyrtimin e dy momenteve kryesore: plotësimin e kritereve ligjor nga Gjyqtarët e emëruar dhe meritën e tyre (sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese).

Gjithsesi, është jashtë çdo dyshimi se nisur nga natyra e institucionit që bëhet fjalë, raporti i nxjerrë nga ky komision ka vlerë vetëm sugjeruese për përfaqësuesit e popullit, pra, për deputetët. Janë këta të fundit, të cilët kanë të drejtë të vendosin në liri dhe sovranitet të plotë. As Komisioni i Ligjeve dhe asnjë strukturë tjetër e brendshme e Parlamentit, përfshi këtu edhe Kryetaren, nuk gëzojnë asnjë të drejtë qëndrimi zyrtar në emër të Kuvendit. Pushteti diskrecional, në të gjitha rastet, i takon secilit deputet, pushtet i cili ushtrohet nëpërmjet votimit në seancën përkatëse parlamentare. Në votim, sipas Kushtetutës, Parlamenti mund t’i aprovojë ose rrëzojë dekretet e Presidentit.

Në realitet nuk ka ndodhur kështu dhe procedura parlamentare ka patur shkelje jo të vogla. Së pari, dekretet e Presidentit kanë “pritur” në sirtar një periudhë më të gjatë se një muaj pa u shqyrtuar, gjë, që është në kundërshtim të hapur me traditën dhe me Rregulloren e Kuvendit. Për më tepër, nën argumentimin e shqyrtimit të meritës së secilit gjyqtar të dekretuar, gjithë kjo kohë u shfrytëzua për të bërë të mundur një “kompromis” paraprak me Presidentin e Republikës.

Këtu u ndeshën dy qëndrime të kundërta politike midis shumicës dhe pakicës në Kuvend. Nëse e dyta, në përputhje me Kushtetutën, kërkonte votimin në Kuvend të dekreteve, përfaqësues të shumicës vazhdonin t’i bënin presion Presidentit të Republikës për një kompromis paraprak. Në emër të kujt kërkohej ky kompromis? Sigurisht që jo në emër të Kuvendit, se askush, as Kryetarja e as kryetari i grupit parlamentar të PD, nuk kanë asnjë të drejtë më shumë se secili prej 140 deputetëve të Kuvendit Popullor dhe aq më tepër ta kërkojnë këtë në emër të këtij institucioni.

Së dyti, qoftë Kushtetuta (neni 136, nuk parashikon dekretim pasi të jetë marrë më parë pëlqimi nga Kuvendi) qoftë Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk parashikojnë konsultime të detyrueshme për Presidentin e Republikës, por ia njohin të drejtën e emërimit të gjyqtarëve të lartë, diskrecionit të tij. Natyrisht, nëse Presidenti do të dëshironte të konsultohej përpara emërimit edhe kjo nuk ndalohet, por do të duhej ta bënte këtë me secilin deputet dhe kurrën e kurrës vetëm me shumicën në pushtet apo përfaqësuesit e saj në Kuvend. Nëse emërimet e gjyqtarëve do të kishin qenë fryt i këtij rasti të fundit, kjo do të kishte shënuar fundin faktik dhe ligjor të ndarjes së pushteteve në Shqipëri, që edhe pa këto, dihet si është. Rreziku i një situate të tillë, ishte një nga shkaqet e forta të cilat frymëzuan atë shqetësim të madh në Shqipëri në periudhën para dhe pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës, vitin që shkoi. Një president në shërbim të shumicës, do ta kthente pa dyshim shumë pas në kohë demokracinë shqiptare.

Pikërisht, këtë kërkonte shumica e sotme. Jo vetëm rrëzimi në bllok i dekreteve të Presidentit, por sidomos deklaratat e Kryetares së Kuvendit, treguan qartë se shumica e sotme jo vetëm nuk votoi (sikurse i parapëlqente ta mbronte pak ditë para votimit) për personalitetet e dekretuara dhe aq më pak për meritën e tyre, por shumë më tepër se kaq, për t’i dhënë mesazh Presidentit të Republikës se do të pranonin vulën e tij, vetëm kur ajo t’i ngjante asaj të një noteri dhe jo një “gjyqtari”, sikurse në rastin konkret njihet nga Kushtetuta e Shqipërisë.

Situata e mësipërme është tepër e lexueshme: ose Presidenti i Republikës vendos siç e kërkon shumica e sotme, duke i hapur asaj rrugën pa kthim për të gjithë ne të rënies së demokracisë, ose atij do t’i rrëzohen dekretet dhe bashkë me to edhe funksioni normal i Gjykatës më të rëndësishme në vend, e bashkë me këtë të fundit, edhe mbarëvajtja e procesit të demokratizimit të Shqipërisë.

Shfaqja që po shohim këto ditë është vërtetë e frikshme, edhe pse nuk është as e para dhe as e fundit në këtë histori të çmendur tranzicioni, fundin e të cilit, si për ironi të fatit e evokonte para pak kohësh, një nga personazhet e sipërpërmendur.

Por të paktën, të paktën të ngushëllohemi me një fakt të thjeshtë: kësaj radhe, shantazhi ishte madhërisht i qartë, i drejtpërdrejtë, i sinqertë. Ndaj, s’na mbetet gjë tjetër veçse të urojmë që përveç dëmit të madh ndaj demokracisë shqiptare dhe imazhit tonë tek partnerët, të paktën të ketë bërë diçka të mirë; të ketë ndikuar kështu, sadopak, për të hapur disi ata pak sy që nuk duan akoma të shikojnë.

{Burimi:Shekulli}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail