SAKRIFICA KOMBËTARE E FAMILJES ALISHANI

SAKRIFICA KOMBËTARE E FAMILJES ALISHANI

Nga Parim Kosova

Parim Kosova

Nacionalizmi i familjes Alishani, ashtu si shumë familje të tjera të Prizrenit, buroi e u frymëzua në mbrojtje të tokës shqiptare që nga luftrat për mbrojtjen e Sanxhakut të Nishit, qëkurse, prej luftërave ballkanike toka shqiptare u përvëlua përsëri nga ushtritë sllave. Bijtë e kësaj familjeje, vazhdimisht u radhitën tek ato që i dolën zot truallit arbëror, duke i besuar ardhmërisë punuan për ribërjen e shtetit kombëtar të Ymer Prizrenit.
Në fillim të prillit të vitit 1941, me largimin e forcave ushtarake të mbretërisë jugosllave nga Prizreni në drejtim të Kukësit dhe të Gjakovës, patriotë të shumtë nga Prizreni e rrethina, të ndihmuar edhe nga familja Alishani, më 10 prill 1941, vendosin flamurin kombëtar shqiptar në ndërtesën e bashkisë së qytetit.
Ky veprim shkaktoi edhe përleshje në mes të turmës së tubuar dhe falangave serbe, që erdhën nga Kukësi. Aty u zhvillua një përleshje e përgjakshme, ku kishte pasur edhe të vrarë e të plagosur. Pikërisht nga kjo veprimtari patriotike dhe atdhetare u vu në dukje trimëria e burrave të kësaj familjeje.

Prej vendosjes së pushtetit shqiptar në Prizren, në prill të vitit 1941, e deri më 17 nëntor 1944, burrat e familjes Alishani, morën pjesë në luftimet për mbrojtjen e kufirit etnik në frontin përgjatë kufirit me Malin e Zi. Nijazi Alishani, ka qenë edhe shoqërues i udhëheqësve të qytetit si truproje të komandantëve të shumtë, ndërsa Feriti ishte edhe në formacionin SS.
Alishanët, ishin antarë të organizatës Balli Kombëtar, që udhëheqej në atë kohë në Prizren nga sekretari i përgjithshëm Sali Zhuri. Nijaziu si antar i sekretariatit, e kishte lëshuar katin e kafenes së tij në Tabahane për seli të organizatës. 
Në shtëpinë e Alishanëve, pasuri e tyre në Grazhdanik, në nëntor të vitit 1944, Reshat Karjagdiu, mbajti një mbledhje me antarët e kësaj familjeje dhe atdhetarë të tjerë, ku ishte vendosur që me armë në dorë t’u rezistohej njësiteve sllavokomuniste.
Pas Luftës së Dytë Botërore, nacionalistët shqiptarë që mbetën në trojet etnike shqiptare në ish Jugosllavi, ishin ndeshur me forcat partizano-komuniste në shumë beteja të pabarabarta.

Nijaziu, Llutfullahu (Lluta) dhe Sadiku, ishin arrestuar pabesisht dhe burgosur nga forcat partizano-komuniste. Pas disa ditësh, Sadiku, arriti të ikte nga burgu i Prizrenit. Nijaziun dhe Llutfullahun (i dënojnë me vdekje-pushkatim). Një natë, me disa të tjerë të burgosur, i kishin transportuar me kamion për t’i pushkatuar diku në Landovicë. Trimi i çartur, Nijazi Alishani, i sprovuar në këso raste të vështira, kërcen prej kamionit dhe u iku nga duart kriminelëve. Partizanët qëllojnë me breshëri armësh në drejtim të Nijaziut, por vetëm e plagosin lehtë. Llutfullahu me të tjerë pushkatohet.
Në këto rrethana, Nijazi Alishani, formon grupin e tij që përbëhej nga familjarët dhe bashkëmendimtarët e tij. Në rajonin e Prizrenit, në këtë kohë vepronin aktivisht edhe grupet nacionaliste të kapiten Ali Rizait, Muharrem Bajraktarit, Hysen Kabashit, Sefë Sadikut të Hasit, Qazim Bajraktarit (Astrazubit) etj.
Alishanët kishin mbajtur lidhje të përhershme edhe me Komitetin e Organizatës Nacional-Demokratike Shqiptare me seli në Prizren.
Nijaziu me forcat e tjera të Ballit, të udhëhequra nga kapiten Ali Rizai, qëndrojnë në malet e Sharrit në Opojë dhe në Vërri. Ata, në fillim të tetorit 1944, zhvilluan luftime kundër një brigade partizane në Rudina të Kosavës, të cilët veç sa kishin hyrë në Dragash-Sharr. Në betejën e zhvilluar te Guri i Zi (maj 1945) në Sharr, pos grupeve të Nijaziut dhe të Ali Rizait, kishte marrë pjesë edhe Qazim Bajraktari. Forcat nacionaliste, kishin pasur përleshje me partizano-çetnikët në malin e Brrutit dhe afër fshatit Billushë (mars 1945).

Rexhep dhe Ferit Alishani, natën e Fitër Bajramit (30 korrik 1945) ishin nisur prej fshatit Peqan të Syrekës për në Drenicë, me qëllim që të vendosin kontakt me ndonjë grup nacionalistësh që vepronin në ato anë, por gjatë rrugës, pranë fshatit Semetisht, pas luftimeve disaorëshe me forcat e ndjekjes jugosllave, ngelin në altarin e lirisë të vrarë babë e birë. Antarët e tjerë të kësaj familjeje, pa u lëkundur, vazhdojnë luftën për çlirim.
Në mesin e 19 grupeve të armatosura të qëndresës shqiptare, që morën pjesë në mbledhjen e Besës Kombëtare në malet e Dobërdolit, në gusht të vitit 1945, ishte edhe Nijazi Alishani me luftëtarët e tij. Ai, emërohet udhëheqës politik i shtabit për sektorin e Prizrenit.
Në letrën e datës 22 tetor të vitit 1945, dërguar nga Këshilli i Besës Kombëtare, gjeneral brigaderit Hoxhson, shefit të misionit ushtarak britanik në Shqipëri, në mesin e emrave të udhëheqësve të grupeve nacionaliste që u dalluan në fronte të luftës për trimëri, përmendet edhe emri i Nijazi Alishanit.            

Kur rrethi për qëndrim të mëtejshëm dhe veprime luftarake të forcave nacionaliste të sektorit të Prizrenit u ngushtua, një pjesë e këtyre forcave nacionaliste të regjionit të Prizrenit, të udhëhequr prej Muharrem Bajraktarit, Reshat Karjagdiut dhe Ejup Binakut, ndërmorën odisejadën udhëtuese drejt Greqisë (25 gusht 1946).

Nijazi Alishani me shpurën e tij, kishin vendosur të rrinë për të vepruar edhe më tej në atdhe. Vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha grupet dhe individët nacionalistë që kishin mbetur në vend për kryerjen e misionit kombëtar. Nijazi Alishani, edhe pse nuk kishte akademi të kryer, shquhet si strateg dhe luftëtar i rreptë në fushëbeteja të shumta. Shpeshherë Alishanët, u ndeshën me forcat e ndjekjes të OZN-ës dhe me brigadat partizane jugosllave. Të gjitha sulmeve të këtyre njësiteve i bënë ballë trimërisht.
Ndërkohë, pushteti komunist, me vendim të këshillit popullor të Komunës Zhur, nr. 2062 të datës 24.07.1945, bënë regjistrimin dhe vlerësimin e pasurisë të Alishanëve në fshatrat Atmaxhe dhe Grazhdanik. Më datën 26.07.1945, e tërë pasuria e lëvizëshme e kësaj familjeje në këto dy fshatra konfiskohet nga ana e milicisë komunale dhe i dorëzohet këshillit të rrethit popullor të Prizrenit.
Ndërsa Gjykata e Qarkut në Prizren, më datën 1 shkurt 1946, nxjerr vendim nr. 160/45 në emër të “popullit”, që pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme e armiqve të popullit dhe të arratisurve, vëllezërve Alishani, t’u konfiskohet: shtëpia me gjithë truall, bujtina me gjithë restorant në Prizren, tërë toka me pojatë e shtëpi në fshatin Grazhdanik dhe Atmaxhe, disa qindra krerë bagëti, etj.

Luftëtarët e Çetës së Alishanëve, gjatë vitit 1946, veprojnë aktivisht në trevën e Prizrenit. Pasi dimri ishte afër, ata vendosen nëpër jatakë.
Organet e ndjekjes ishin informuar nga spiunët, se Sadiku ndodhej në shtëpi. Me këtë rast, forcat e okupatorit e arrestojnë Sadikun.
Nijaziu, Shemsidini (Shema) dhe Ganiu, periudhën e fundit qëndruan te motrat Hilmije dhe Nezije Puna, ku hetohen nga OZN-a. Me qëllim të mos ketë dëme të shumta nga ana e forcave të okupatorit, oznashët, fillojnë dërgimin e emisarëve për negociata. Veç të tjerëve kishin dërguar edhe një sheh me autoritet në zonë... Nijaziu i thotë: “Unë po di në dorë të kuj po bie, po për hir të vajzave të kësaj shtëpie që na mbajtën si të ishim prindër të tyre dhe mos të pësojnë banorët e mahallës, dorëzohemi...”.
Organet e okupatorit, Nijaziun e dërgojnë në burgun e Prishtinës, ku më vonë e pushkatojnë. Sadik, Shemsidin, Gani dhe Selim Alishanin, i dërgojnë në burgun e Pozharevcit.

Që të katërt i dënojnë. Në gusht të vitit 1948, tre prej tyre arratisen nga burgu i Pozharevcit dhe në fillim të shtatorit arrijnë në Prizren. Këtu takohen në fshehtësi edhe me nënloken e tyre.
Pushteti komunist, pas këtij akti trimërie të vëllezërve që kishin ikur nga burgu, tërë familjen Alishani, i mbajnë nën mbikqyrje me kusht që vëllezërit të dorëzoheshin.
Tre vëllezërit kalojnë në pjesën shtetërore të atdheut dhe pushteti i atjeshëm i vendosi në Lezhë.
Rregjimi i Titos në Jugosllavi, familjen e mbetur prej 18 anëtarësh, kryesisht gra dhe fëmijë, në shtator të vitit 1948 i dërgojnë me dhunë në internim në Zemun Polje. Atje i mbajtën deri në shtator të vitit 1950, kurse Xhavitin e mbajnë në internim pesë vjet (1948-53). Në këtë kamp, kjo familje kishte përjetuar dhunë dhe represion antinjerëzor.

Pjesa e mbetur e familjes Alishani, për shkak të ndjekjeve të vazhdueshme, nuk u shpërngul. Në aksionin e mbledhjes së armëve, në vitet 1955-6, Selimi e Xhaviti u keqtrajtuan mizorisht.
Se sa e shenjtë është mbajtja e mikut te shqiptarët, e dëshmon shembulli i kësaj familje dëshmorësh. Ferit Alishani, deri sa ishte në rradhët e Divizionit SS Skënderbeg, me eprorin Ali Aliqi, nga fshati Çitlluk të Pribojit të Limit, bëhën vëllamër. Me riokupimin e Kosovës, Aliu, qëndron te familja Alishani. Ishte bërë sikur të ishte pjestar i kësaj familje. Ai, kishte marrë pjesë edhe nëpër disa aksione së bashku me luftëtarët e Nijazi Alishanit, edhe pse e tërë familja Alishani do ta pësojë më vonë. Mikun e konakut e mbajtën për disa vjet të fshehur dhe arritën ta shpëtojnë të gjallë. Aliu jetoi deri më vitin 1997 në Bosnje.
Nga familja Alishani, dy burra u pushkatuan Llutfullahu (Lluta) dhe Nijaziu. Me armë në dorë u vranë Rexhepi dhe Feriti. U burgosën Sadiku, Ganiu, Selimi dhe Shemsidini (në rrethana të pasqaruara, vritet në Lezhë më vitin 1963). Në internim vuajtën 18 antarë të familjes, ndërsa jatakë të tyre u dënuan me burgim Isak Selimi nga Peqani dhe motrat Hilmije dhe Nezije Puna nga Prizreni.

Marre nga : http://www.shqiperiaetnike.de/html/body_parim_kosova.html

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail