Që të mposhtim krimin…

Krimi në shoqërinë tonë është ende në nivele të larta, shumë shqetësuese për shtetin, shoqërinë dhe qytetarin. Me gjithë përpjekjet e bëra, duket se rezultatet në luftën kundër tij, nuk janë në përpjesëtim të drejtë me luftën e organizuar nga shteti, policia dhe gjyqësori për të bërë zap këtë të keqe sociale, shqetësuese për shoqërinë shqiptare.
 
Nga Gëzim TUSHI
Tue, 24 Jun 2008
Krimi në shoqërinë tonë është ende në nivele të larta, shumë shqetësuese për shtetin, shoqërinë dhe qytetarin. Me gjithë përpjekjet e bëra, duket se rezultatet në luftën kundër tij, nuk janë në përpjesëtim të drejtë me luftën e organizuar nga shteti, policia dhe gjyqësori për të bërë zap këtë të keqe sociale, shqetësuese për shoqërinë shqiptare. Po përse është ende i ulët efektiviteti i luftës kundër krimit në Shqipëri? Cilat janë shkaqet që kjo dukuri vazhdon të ketë tregues të lartë e shqetësues?

Sipas mendimit tim, në luftën kundër krimit ka një “copëtim” të faktorëve që e bëjnë këtë luftë komplekse, sistematike, të organizuar, të suksesshme. Në shoqërinë tonë ka zënë vend një koncept i deformuar, i njëanshëm për luftën me krimin. Nuk ka nevojë fare për sondazh, sepse është e vërtetuar me të gjithë mënyrat e testimit të opinionit, fakti që në shoqërinë tonë ka një koncept semplist për krimin dhe nevojën e luftës së vendosur kundër tij, duke e konsideruar atë detyrë eksplicite të shtetit dhe policisë. Në të vërtetë si qytetarë duhet të jemi të shqetësuar, sepse nëse do vazhdojmë t’i biem kësaj “kambane” dhe nuk do të ndryshojmë mentalitetin semplist, krimi në Shqipëri do të mbesë në nivele përsëri kritike. Është një mentalitet social i “fiksuar”, që e konsideron luftën me krimin detyrë vetëm të shtetit. Ky mendim është shumë publik në shoqërinë tonë, sepse sa herë flitet për krimin, në të gjithë diapazonin dhe tipologjinë e tij të larmishme, mendja e shumicës së qytetarëve shkon tek përgjegjësia e policisë, si institucioni që ekskluzivisht është i detyruar të përballet ligjërisht me krimin. Ky qëndrim semplist i masivizuar është bërë me shtrirje sociale dominante në pjesën më të madhe të qytetarisë shqiptare të ditëve tona. Kjo do të thotë se mentaliteti që bën obligues për përballjen me krimin vetëm shtetin, nuk është vetëm problem i shfaqjes së një koncepti të thjeshtë, të kufizuar social.

Me gjithë reformat në polici dhe drejtësi, ndërhyrjet strukturore, organizative dhe bashkëpunuese, ajo që çalon, që zbeh efektivitetin e luftës kundër krimit, është “indiferentizmi qytetar”. Pa këtë komponent të reagimit, solidaritetit dhe informimit qytetar, si element esencial i treguesve të qytetarisë, lufta kundër krimit do të jetë “luftë në gjunjë”. Sado e mirë të jetë policia dhe politikat e saj antikrim, sado të kualifikuar të jetë trupa e policisë dhe kapacitetet profesionale të saj, efikasiteti i luftës gjithnjë do të jetë i ulët, nëse shoqëria jonë nuk kapërcen plagën e agravuar të indiferentizmit qytetar.

Ne ende kemi sindromën e mentalitetit komunist, që qytetari që denoncon krimin dhe ndihmon në identifikimin e kriminelit, quhet “spiun”. Natyrisht, në shoqërinë shqiptare është kapërcyer mentaliteti i konformizmit dhe spiunimit sipas logjikës totalitare, që i katandisi qytetarët në instrument të bindur të pushtetit. Tashmë nuk ka më kushte të denoncimit të të gjithëve kundër të gjithëve, por duhet të ketë reagim të fuqishëm pozitiv, ndaj kujtdo që shkel ligjet e qytetërimit. Indiferentizmi si mentalitet antiqytetar dhe kundër-qytetërues, është shkaku që përballë nesh, në pallatet tona, bashkë me ne “jetojnë” edhe ata që rrahin gratë dhe fëmijët, që vjedhin energjinë elektrike. Aty janë disa njerëz “plehra”, që nuk lënë pusetë pa vjedhur duke “ndihmuar” në mbytjen e qytetit, aty kalojnë trafikantët që rrëmbejnë femrat për qëllime prostitucioni dhe megjithatë, të gjithë bëjmë “sehir privat” dhe shajmë shtetin dhe strukturat publike të luftës kundër krimit. As në shkollë, as në familje, nuk po përpiqemi të kultivojmë mentalitetin modern qytetar, se krimi nuk është veprim që cenon autoritetin e policisë, por veprim që dëmton realitetin social, sfondin qytetar të shoqërisë në tërësi. Reagimi dhe informimi qytetar për kriminelët, keqbërësit, prishësit e rendit publik, hajdutët, trafikantët, nuk janë thjesht të dobishme për “policinë si polici”, por për ne, për qytetarët, jetën tonë të përditshme. Në asnjë vend të botës, sado të jetë numri i efektivave policore, nuk është e mundur që policia të jetë në çdo rast aty ku ndodh krimi. Media dhe qytetarët janë aleatët më të ngushtë të policisë në luftën kundër krimit. Kjo aleancë në vendet e qytetëruara e ka treguar efektivitetin në luftën kundër të gjithë llojeve të krimeve, që nga ai ordiner deri tek krimi i organizuar.

Bashkëpunimi i policisë me median dhe qytetarët, është ndoshta ajo “strategji” që duhet përpunuar në shoqërinë tonë. Natyrisht, këtë organizim nuk e bën vetëm policia, pa frymën e konsensusit qytetar. Ky është një aksion që duhet programuar kudo, në familje, në shkollë dhe komunitet, për të kultivuar tek të rinjtë, ndjenjën dhe detyrën qytetare për të qenë aleatë të shtetit në luftën për të përballuar krimin e çdo ngjyre qoftë. Koha kërkon që shoqëria dhe qytetarët tanë të dalin nga pozita pasive, komode, e kërkesës së llogarisë për përgjegjësinë e shtetit dhe të policisë për të mposhtur krimin në shoqërinë tone. Padyshim, qytetarët kanë të drejtë që bëjnë presion mbi policinë dhe shtetin, të kërkojnë më shumë rend dhe siguri publike. Por kjo nuk mund të arrihet, nëse ne si qytetarë qëndrojmë pasivë, kur krimi kalon para syve tona. Nuk është e mjaftueshme të ndihesh, kur ai të cenon individualisht apo të penetron në shtëpinë tënde. Lufta kundër krimit nuk është çështje personale, por mision social, një problem i madh publik. Në këtë kontekst, denoncimi i krimit nuk është akt spiunimi, por gjest i pastër qytetar. Si rezultat megjithëse jemi dëshmitarë të krimit, edhe pse ai gjallon para syve tanë, ne heshtim ose e shumta mbytemi në “vajtime private”. Bëjmë kritika dhe presim që dikush tjetër nga jashtë, të verë dorën dhe të frenojë krimin. Nuk mund të kemi sukses, nëse nuk edukojmë dhe nxisim njerëzit tanë që kundër krimit të kenë vullnet, reagim qytetar kontestues, dëshirë për ta luftuar atë publikisht. Ne duhet të jemi koshientë për mungesat tona të ndjeshme në kulturën demokratike dhe qytetare, për ta luftuar krimin frontalisht dhe publikisht. Mungesa e përgjegjësisë qytetare dhe indiferentizmi, janë aleatë të fortë që ndihmojnë lulëzimin e krimit. Na duhet angazhim i qytetarëve kundër krimit kudo që shfaqet. Ky është një mësim i madh, që vjen nga vende dhe popuj të qytetëruar, të cilët kanë bashkuar angazhimin qytetar me funksionimin e institucioneve të specializuara në luftën kundër krimit...

{Shekulli}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Komentet

  • paloma palomita
    • 1. paloma palomita Më 19/11/2015
    me ndihmoj shum ky shkrim
  • paula pau
    • 2. paula pau Më 19/11/2015
Abonohu:
Adresa e-mail