Në kërkim të studentit

    Kur e pyetën njëherë poetin e shquar rus Josif Brodskij se çfarë gjëje i ra më shumë në sy kur filloi punë në një prej universiteteve më të rëndësishme të SHBA-së, ai tha se gjëja më shokuese që kish përjetuar ishte injoranca e studentëve. Dihet tanimë se marrëdhënia e Brodskijt me studentët e vet qe një marrëdhënie tepër e koklavitur po të kemi parasysh marrëdhëniet shabllone që krijohen në përgjithësi mes profesorëve dhe studentëve. Për Brodskijn, njeri që e kish fituar diturinë vetë, nën provat më të rënda trupore e mentale që mund të gjendet një adoleshent në cilindo cep të botës, pra për Brodskijn ishte e pakonceptueshme padija bazike e studentit dhe sidomos ajo dritë e shuar në sytë e tyre që nuk aspironte për kurrgjë, që nuk rrezatonte qoftë edhe një rreze të vetme dritë të ardhmeje. Vetëm një vetëkënaqje që vjen nga vetësiguria, nga mirëqenia e siguruar nga prindërit apo e trashëguar etj etj. Historitë e tij me studentë të tillë janë legjendare por ato kulmojnë me rastin e mëposhtëm: Një ditë Brodskij hyn në auditor dhe u propozon studentëve të flisnin për poezinë polake të shekullit të njëzetë. Ai qe një adhurues i madh i poetëve të tillë polakë si Czeslaw Milosz-i, Zbigniew Herbert, Wislawa Szymborska, Ana Swir, etj, po aq sa edhe përkthyes i devotshëm i tyre. Pasi i pyet studentët amerikanë nëse kishin ndonjë ide se për çfarë bëhej fjalë, ata që të gjithë ngritën supet dhe u përgjigjën që nuk kishin asnjë ide për poezinë polake bashkëkohore dhe kur Brodskij i xhindosur urdhëron të sillet një hartë e botës në klasë dhe kur, për ironi të fatit, asnjë nga studentët e kursit nuk e gjeti dot në hartë Poloninë, poeti i madh që rrufiti flegrat e hundës si një kalë para garës, tha gati duke ulëritur: Një vend që nuk di ku bie Polonia dhe nuk ka haberin e poetëve të saj, meriton të pushtohet.

    Të tjerë profesorë të mirënjohur në fushat e tyre, ankohen kaq shumë për gjendjen kulturore të studentëve qoftë edhe në kampionë të tillë të edukimit si Harvard, Cambridge, Columbia, Oxford etj. Elisabeth Bishop një prej shkrimtareve më të rëndësishme amerikane të shekullit që shkoi, kur e pyesnin për nivelin e studentëve të saj, ajo buzëqeshte dhe thoshte me thumbin e patëkeq proverbial, me të cilin ngjyroste edhe poezitë e veta se ajo që i kishte bërë një përshtypje të vazhdueshme është se nuk i kish rastisur qoftë edhe një student apo studente e vetme, që të mos shihte dhe adhuronte telenovelat.

    Në Shqipëri sigurisht që gjendja kulturore dhe morale e studentit është edhe më alarmante se në SHBA, Angli, Francë apo gjetkë. Sigurisht, shumë më shumë. Dhe ndërsa kambanat për këtë realitet kanë kohë që bien ndër auditorët e universiteteve që u sollën më lart si shembuj, këtu auditorët shëmbëllejnë më shumë më disa pishina dimri me ujë të ngrohtë, ku pedagogë dhe studentë, pluskojnë në përgjithësi të qetë dhe të sigurt se ajo që po u ndodh në mos do të jetë pjesë e historisë së Shqipërisë, të paktën do të shkruhet në enciklopedinë e protagonizmit. Dhe kjo është më se e justifikueshme, përderisa kafenetë rrotull dhe pak më poshtë se rrotull godinave universitare janë kaq përplot me studentë  sa pronarët në shpalljet për vende pune kamerier, ndër disa prej kushteve që rendisin, shënojnë me bold që kandidati (për kamerier) përveçse të dijë anglisht (?), Excel programme (?), të jetë edhe atletik (?).  Meqë shumë prej rrymave artistike dhe sociale studentore e kanë zanafillën në tryezat e ngjeshura të kafeneve studentore, një sy naiv (kryesisht i huaj) gati mallëngjehet nga kjo dyndje. Me siguri, mendon ai, ata tani po shkëmbejnë libra, DVD filmash të Las Von Trier-it, Kiarostamit, Bertoluccit, (apo në rastin më të keq të Fatmir Koçit), CD me muzikë të Bach-ut apo Shostakoviçit (p.sh. orkestra e Londrës, Mynihut apo e Bostonit) dhe gjërash të ngjashme si këto. Por jo, jo, ai përqendrim i hatashëm në fytyrat shqiptare studentore, më shumë është i lidhur me lojrat Play-station – sesi ky student sesa të ulet e të lexojë një libër shkolle apo qoftë një roman apo libër me poezi (ai mund të jetë i dashuruar, por kjo nuk do të thotë asgjë), më kollaj e ka të mundë Manchester-in në një finale virtual të Champion Ligues-s, apo të ftojë për kafe ose Brad Pitt-in, ose Ronaldin jon, ose Angelin Jolie. Në të gjitha rastet ai del i fituar se i fituar, për vetëm njëqind lekë ora, ai mund të japë e marrë si të dojë me këto subjekte.  Te pothuajse të gjitha universitetet private apo shtetërorë, sipërfaqja e kafeneve të studentëve është në përgjithësi dy herë më e madhe se sipërfaqja e auditorit më të madh që zotëron vetë universiteti, dhe gjashtë herë më i madh se sipërfaqja që zë biblioteka universitare (në ndonjë universitet ndonjë mendje e kamufluar i ka bërë bashkë në tabelën e reklamës “Coffe& Book Store” ku me Book Store kihet parasysh një dyzinë e pasur menush shumë ngjyrëshe, pijesh e ëmbëlsirash. Sigurisht, ndërsa studentët e bjerrin kohën kafeneve, pedagogët nuk kanë fare kohë ta vënë re këtë fenomen fenomenal, pasi  mbi dy të tretat e tyre janë të trepunësuar në anë të ndryshme të kryeqytetit dhe që të mbash ndezur të paktën tre kompjutera njëherësh duhet të kesh një serverin e duhur. Dhe e them me bindje, ata e kanë. Dhe ndërsa shpesh ia lënë fajin në derë shkollave të mesme prej të cilave studentët vinë kryesisht “byk”, harrohet që për studentët këto katër vitet universitare mund të shndërroheshin në vite vokacioni për dijen, për dijen si ideal të jetës, të përkushtimit, të vullnetit.

“Derek Walcott, ti nuk mund të jesh Profesor poezie në Oxford”

    Sigurisht titulli për ata që e njohin kush është  Derek Walcott dhe ç’domethënie ka të zgjidhesh Profesor i Poezisë në Universitetin e Oxford-it, ky titull mund të ngjajë më se shpërqendrues, në mos absurd. Dhe pak a shumë i tillë është. Po jap me dy fjalë përse bëhet fjalë: çdo pesë vjet universiteti i Oxford-it shpall vendin bosh të Profesorit të Poezisë post i cili përveçse një shume të konsiderueshme paundësh, një cikli prej dymbëdhjetë leksionesh, përmban edhe një vlerësim moral të jashtëzakonshëm në botën anglishtfolëse të letrave. Po të përmendim vetëm disa prej emrave pararendës në këtë post, do ta kuptonim edhe më mirë rëndësinë e tij: atë vend e kanë mbajtur Lord Alfred Tennison, Robert Graves, W. H. Auden, Seamus Heaney, Paul Muldoon.

    Kur vendi bosh u shpall nga Universiteti i i Oxford-it, e para që ofroi kandidaturën e vet qe shkollarja e njohur britanike e letërsisë Ruth Paddle, stërnipe e Charles Darwen-it. Ajo në letrën e saj argumentuese përmendte se “nëse e fitoj atë vend, unë do të përpiqem në këto leksione të ofroj sa të mundem poezinë me shkencën …”. Disa javë më vonë ndodhi edhe një akt i mrekullueshëm, nobelisti i madh i poezisë Derek Walcott, ndonëse në moshë të thyer (ai është shtatëdhjetë e nëntë vjeç ndonëse gëzon një shëndet dhe formë të shkëlqyer) shpall edhe ai kandidaturën e vet për vendin e Profesorit të Poezisë e cila pasoi edhe kandidaturën e një poeti indian, thuajse të panjohur, me një krijimtari më se modeste, sidomos kjo e krahasuar me Walcott-in. U duk se edhe këtë herë universiteti i Oxford-it do të siguronte një emër të madh të letërsisë botërore, por tërheqja e papritur e nobelistit Derek Walcott e shprishi gjithë interesin e madh që ngjalli kandidatura e tij. Një kritik letrar, këshilltar i jashtëm i akademisë universitare pati dërguar pranë jurisë përzgjedhëse, një dosje me fjalë dhe vetëm fjalë për karakterin e dyshimtë të Derek Walcott-it, për afrinë e tij të madhe me studentët, duke përmendur fjalët “joshje seksuale ndaj studenteve”. Një lumë akuzash ranë mbi Ruth Paddel, e cila u mendua se mund të fshihej pas kësaj fushate shpifjesh të ulta, por ajo u distancua prej kësaj duke thënë se ajo “e ka koleg Derek Walcott-in”. Kritiku që e kish servirur këtë gjellë bajate akuzash, qe në të vërtetë jo fare pa lidhje në këtë histori. Ai pat qenë për njëzetë vite i dashuri  i Ruth Paddel-it dhe ka të ngjarë që ndodhet ende në proces adhurimi të kësaj gruaje që tanimë është e martuar me tjetërkënd dhe ushqen plot dy fëmijë, frute të kësaj martese. Tërheqja e Walcott-it nga gara u bë për shkak se ai vetë tha, “nuk dua të bëhem pjesë e kësaj insinuate të ulët e cila ma fshiu shijen që mund të lërë vendi i Profesorit të Poezisë në universitetin e Oxford-it”.

    Kjo histori e denjë dedektivësh-dhe bota akademike është më se e pasur me të tilla histori okulte-në të vërtetë e komprometon rëndë procesin e një prej punëve më të vlerësuara në botën akademike, sikundër është vendi i Profesorit të Poezisë në Oxford University.  Ndërkaq kandidatja tjetër me gjithë thirrjet për tërheqje nga gara as nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë dhe po shkon e sigurt drejt synimit. Nga pas e ndjek me çapa të ngadaltë e të rëndë kandidati indian.

{© Gazeta "Korrieri" editorial}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail