Mallkuar qoftë copy-paste!

Shkruar nga Blendina Cara   
e mërkurë , 01 prill 2009

Edhe unë mëkatare jam kur vjen puna këtu. Selektoj, përdor anën e djathtë të mouse-t, e hedh në kompjuterin tim dhe...

I vetmi shpëtim për mua është se këto 300 radhë kompjuterike që marr përditë nga revista amerikane “Time”, “Newsweek”, gazeta britanike “Telegraph”, gazeta amerikane “New York Times” etj, janë në gjuhën angleze. E duke qenë se unë kam raporte të mira me këtë gjuhë, harxhoj nja pesë orë të mira në ditë duke i përkthyer. Nuk harroj që në fund të vendos që janë marrë nga revista përkatëse, por nuk harroj të them se unë dhe vetëm unë i përzgjodha dhe i përgatita vetëm për “Tirana Observer-in”, gazetën ku unë punoj.

Po deri këtu sikur punët janë në rregull dhe kënaqem që krahas kompjuterit u shpik edhe copy paste-n. Por si i bëhet kur ky copy paste përdoren për qëllime të këqija.

E kur ndodh kjo
As një herë të vetme, as dy herë. As dhjetë herë. Me qindra e me qindra raste jam ndjerë e fyer kur kolegë e kolege, gazetarë të lajmeve e specialeve nga bota etj, kanë përdorur copy-paste dhe kanë marrë punën time “mo ta mo” dhe e kanë quajtur të tyren.

Një që nuk është në rregull nga mendtë më tha: Përse nuk reagon? Përse nuk i hedh në gjyq? Në cilin gjyq dhe në cilin ligj ta mbështes.
Në Shqipëri ka ligje edhe për rregullat e qarkullimit rrugor me slita. Ka ligj edhe për llojin e peshkut që lejohet të kapësh me rrjetë. Por kur vjen puna tek kopjimi “copy-paste” nga websit-i i ligjshëm i filan gazete e hedhur në fletë të shkruar në filan gazetë të nesërmen, duket se pak a hiçgjë mund të bëhet, përveç ca rreshtave “denoncuese” publike, shoqëruar me shpresë të vagullt se mund të shkojnë në vesh të duhur. 

Shkalla e rëndësisë së materialit ku aplikohet copy-paste pa kriter s’është se ka vlerë të madhe, ndërsa akti i copy-paste, lehtësia e kokëçarja me të cilën kryhet e përftohet pa të keq është e frikshme. Veçanërisht duke pasur parasysh se sa i thjeshtë është për t’u mësuar copy-paste. Ja ç’shkruhet në manualin kompjuterik:

Merrni mausin, poziciononi kursorin në fillim të tekstit e pastaj duke mbajtur butonin e majtë te shtypur zhvendoseni mausin në gjithë tekstin e dëshiruar. Pasi të theksohet gjithë pjesa e shkrimit, lëshojeni butonin e majtë. Me kursorin në tekstin e hijëzuar dhe shtypni butonin e djathtë të mausit, ku shfaqen opsionet e përzgjidhni fjalën “copy”. Pasi ta keni marrë që aty, mund ta importoni tekstin, aty ku dëshironi”.

E pas përpjekjeve “mes nesh” deri tani të dështuara për t’i prerë hovin këtij “copy-paste” abuzues mbetet vetëm të them “Mallkuar qoftë copy-paste”.

© Blerina & "TIRNANA OBSERVER" , {shkruar ditën e gënjeshtraveClin d'oeil}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail