Liria e shprehjes në auditorë

Nga Sonila Rrahmani

Ajo çka na bën shumë përshtypje sot, është që diskutohet shumë për të drejtat e njeriut, për barazinë dhe mos diskriminimin, por mesa duket është harruar të trajtohet edhe një element shumë i rëndësishëm siç është dhe liria e shprehjes së studentëve në auditorët shqiptarë.

Freedom of expressionSigurisht, studentët në çdo vend të botës janë e ardhmja e vendit, shpresa për ndryshime dhe shpresa për një të ardhme më të mirë, por si do realizohet kjo nëse ato nuk do edukohen drejt në auditorët e tyre?

Marr shkas ta trajtoj këtë problematikë, sepse mbi të gjitha jam vetë studente dhe ndihem e indinjuar çdo ditë e më shumë kur vihem përballë mungesës së komunikimit të lire dhe të barabartë për të shfrytëzuar në këtë mënyre shpirtin kreativ të një të riu i cili të nesërmen mund të përcjellë risitë, dhe dinamikën në këtë vend të pa stabilizuar ende.
          Së pari dua të theksoj se çdo marrëdhënie që lidh një student me universitetin ku ai studion i përgjigjet të drejtave dhe detyrimeve që ai ka. Është e qartë që detyrimet kurdoherë realizohen në mënyrën më të mirë të mundshme pasi, por ajo që na intereson janë të drejtat. Sa realizohen ato?
Pa dashur ta pranoj, duhet të pohoj që në realitet komunikimi student-lektor në auditorët shqiptarë karakterizohet nga përdorimi i kufizuar i lirisë së fjalës. Këtë mund ta shohim në shumë drejtime. Së pari, studenti nuk ndihet i lirë të shprehë atë çka mendon në lidhje me organizimin e leksionit, pasi është lektori ai që përcakton metodologjinë e realizimit të leksionit, i cili pak nga mungesa e eksperiencës dhe pak nga neglizhenca e kthen leksionin në një riprodhim të tekstit. Së dyti, për mendimin tim seminari është krejt jashtë funksionit sepse studentët nuk shprehin idetë e tyre personale por kthehen në robër të librit dhe ndihen të detyruar për ta mësuar mekanikisht atë, dhe rezultati është që pas mbarimit të studimeve nuk ka përthithur asgjë për formimin e tij profesional.
          Modeli i shembujve të universiteteve më të famshme në botë ka pak ose aspak zbatim në vendin tonë, ku studenti është epiqendra e universitetit, kur leksioni zhvillohet në kushtet më të përshtatshme që do të zhvillonte mundësinë që studenti të gjeneronjë ide të reja, leksione të cilat shpesh zhvillohen edhe në natyrë.
          Roli i lektorit në këto universitete është një shtyse për të nxitur krijimtari, për të mos e lënë studentin të ndrydhur në atë çka di, por përkundrazi të hulumtojë dhe të pasurojë fushën ku studion. Janë të shpeshta rastet kur lektorët në botë mësojnë nga studentët e tyre, sepse leksioni për ta është më shumë se një bashkëbisedim midis kolegësh, gjë që tek ne nuk ndodh. Tek ne universiteti është si shumë institucione të tjera, një organizim hierarkik, ku studenti është hallka më e ulët.

          Lidhur me këtë nuk është aspak e çuditshme që brenda një studenti të kultivohet frikë, e cila lidhet qoftë me kundërshtimin e gabimeve të lektorëve të tyre, deri tek pranimi kokulur i vlerësimeve të gabuara, trajtimit pa respekt, dhe mos korrektësisë së tyre. Të gjithë jetojmë brenda një realiteti që e njohim, jemi ndeshur me situata, ashtu si edhe unë jam bërë pjesë e kësaj frike. Kanë qënë të shumta rastet ku e kam parë evidente frikën e studentëve për demaskuar paaftësinë e lektorëve të tyre, mungesën totale të gatishmërisë së tyre për të kërkuar rivlerësim të provimit, sepse janë të shqetësuar vetëm për notën jo për aftësinë e tyre, nuk i ushqejnë vetes besim dhe humbin në këtë mënyrë lirinë për tu shprehur lirisht.
Nuk do doja ta përdorja këtë shkrim vetëm si një opinion, por dhe si një thirrje për të gjithë studentët, që të mos lejojnë kufizimin e shprehjes së tyre, sepse çdo lektor paguhet që t’ju shërbejë atyre, janë studentët “pronarët” e auditorit dhe jo lektorët! Këta të fundit në përputhje me respektin e ndërsjelltë janë të detyruar të ushtrojnë punën e tyre të përkushtuar ndaj studentit, sepse ai ka nevojë për modele të mira.
          Nuk është e çuditshme pra, se si ndihemi të pa kënaqur në këtë shoqëri, sepse gjithçka varet nga ne, varet nga edukimi jonë. Populli ynë përdorte një shprehje kuptimplotë, që e gjen veten edhe sot “Çdo mbjellësh, do korrësh!” Lidhur me këtë do dua të them se nëse nuk përpiqemi sot për të rritur nivelin e arsimit të lartë, për të vepruar dhe studiuar lirisht, e ardhmja do ishte e rrezikshme, sepse imagjinoni sot ata që janë në auditorë nesër do jenë ata që do ndeshni në administratën publike, do jenë mjekët tuaj, juristët apo ekonomistët që do zgjidhni. Prandaj nuk është kaq e lehtë të heshtësh, sepse çdo gjë është ciklike, dhe çdo detaj që shoqëron deri në formimin e një studenti si profesionist duhet trajtuar me shumë kujdes.
          Si përfundim, dua të shpreh se liria është thelbësore për një shoqëri të shëndoshë. Dhe ne si vend që aspirojmë ti bashkohemi strukturave evropiane, që aspirojmë të jemi një shoqëri më e mirë, nuk mund ta realizojmë këtë nëse nuk zbulojmë si një “puzzle” gjërat më thelbësore që ka një shoqëri demokratike. Duke dashur që kjo vërtet të realizohet, unë besoj se studentët shqiptar do dalin nga kjo hulli ku janë ndrydhur, do sulmojnë fort për të mbrojtur me devotshmëri atë që ju takon. Besoj fort se të gjithë bashkë do e mbrojmë dhe përmirësojmë të ardhmen e këtij vendi me vlera të reja, por mbi të gjitha besoj fort se kjo shoqëri do pushojë së kufizuari lirinë dhe shpirtin kreativ të rinisë.

UP Fakulteti i Drejtësisë UT uamd student liri shprehje fakultet uejl usht

2 vota. Mesatarja e 4.50 të 5.
Abonohu:
Adresa e-mail