Intelektualo- fobia shqiptare

Dott. Alban DaciTë jesh intelektual nuk do të thotë të jesh një person  vetëm me horizonte të larta profesionale, por edhe me dituri të madhe akademike. Të jesh intelektual do të thotë tw jesh sensibël me çdo fenomen që lidhet me njeriun dhe jetën e tij. Të jesh intelektual do të thotë mbi të gjitha që antivlerat i konsideron gjithmonë ashtu dhe nuk bëhesh palë me të. Të jesh intelektual do të thotë kontribuosh në proceset sociale, ku përfshihet vendi dhe qytetarët.

Intelektualët në çdo vend të botës që nga periudha e industrializimit të shoqërisë dhe ndarjes së punës kanë luajtur rol të rëndësishëm dhe të jashtëzakonshëm në shkencë, në proceset ekonomike, sociale e politike.  Revolucioni industrial, francez, amerikan, anglez si dhe rritja ekonomike në nivel botëror nuk do të kishin pasur sukses pa rolin e intelektualëve. Pa intelektualët, Bota njerëzore do të ishte e prapambetur, shtazarake dhe barbare.

Intelektualët ishin ajo kategori e shoqërisë njerëzore, e cila edhe pse ishte në minorancë për nga numri sasior, ishte shumë më e madhe përsa u përket vizioneve, ideve. Intelektualët iluminuan me veprat e tyre mendjen e njeriut duke e orientuar atë drejt progresit dhe evoluimit pozitiv.

Në çdo vend të botës, intelektualët respektohen si elita e shoqërisë, implementohen në proceset kryesore sociale për shkak të iluminizmit që posedojnë. Megjithatë kjo nuk ndodh në Shqipëri.  Para viteve ’90 vendi ynë ishte një vend me filozofi staliste, ku ndarja në klasa ishte e ndaluar. Kjo lloj politike sociale bëri që intelektuali të barazohej me punëtorin edhe pse roli dhe kontributi i tyre nuk ishte i njëllojtë në shoqëri.

Gjithashtu edhe trajtimi i tij politik dhe ekonomik nuk ishte i privilegjuar. Nuk mungonin rastet, kur intelektualët e vërtetë, të cilët kishin ndjenja të forta kombëtare e jo komuniste u sulmuan, internuan dhe u burgosën.  Gjithashtu edhe konkurrenca e intelektualit me punëtorin nuk ishte e barabartë dhe e bazuar mbi meritokracinë. Shumë punëtorë merrnin detyrat më të larta partiake e shtetërore vetëm pse ishin njerëz besnik të Partisë edhe pse nuk e justifikon me dituri,.

Pas viteve ’90, në kushtet e një anarkie të vërtetë, ku ligji nuk ekzistonte/respektohej dhe në fuqi hyri “ligji i xhunglës”, intelektuali u ndje përsëri i përjashtuar politikisht dhe i poshtëruar ekonomikisht. Shumë procese duke përfshirë edhe ato të ekonomisë informale u realizuan nga njerëz që nuk plotësonin asnjë lloj kushti si intelektual. Në këto procese u përfshinë dy kategori personash: të parët që kishin mbi supe trashëgiminë e pushtetit politike dhe të dytët të cilët duke pasur karakteri barbarit u ndjenë mirë me “ligjin e xhunglës”.

Në këto kushte të vështira intelektualët zgjodhën dy rrugë:  Së pari të merrnin atë të emigrimit për tu mos kthyer kurrë më. Kjo ishte një humbje e madhe për vendin. Ky fenomen është i vazhdueshëm edhe sot. Së dyti, të heshtnin duke u  kthyer në të padukshmit e shoqërisë. Barbarët dhe personat që trashëguan mbi supe regjimin politik abuzuan duke i përdoru intelektualët thjeshtë për fasadë, por që nuk u lënë kurrë hapësirën e duhur për të qenë të implementuar në proceset kryesore politike e sociale.

Situata u bo aq shumë e padurueshme sa edhe sot të konsiderohesh intelektual do të thotë se je një njeri koti, i varfër, pa para dhe nuk posedon asgjë. Ky është vizioni aktual i shoqërisë shqiptare mbi intelektualët. Padashje ose jo, u krijua një far intelektualo-fobie. Intelektuali shihet nga të tjerët si njeriu që jeton në kështu të vështira ekonomike, nuk posedon makinë, nuk e njeh lluksin. Kështu plasi kollaro-mania, ku barbarët filluan të vishnin kostume dhe të vendosnin kollaren dhe kjo e fundit ngjante si një laku në qafë të qenit.  Kollaro-mania u bo aq shumë e famshme, sa intelektual mund të quhej vetëm ai që mbante kostumin dhe kollaren, pa harruar se të jesh intelektual do të thotë të kesh shumë punë mbi supe dhe të posedosh shumë vlera njerëzore.  

Sikur të mos mjaftonin këto manifestime të turpshme sociale, intelektuali fillojë të cilësohej nga të tjerët si një rrezik, sepse me mendimet e tija racionale dhe të thella hapte probleme të panevojshme. Kjo histori është aplikuar dhe vazhdon të aplikohet me sukses edhe në politikë. Është e çuditshme por e vërtetë, tek partitë politike mbizotërojnë njerëzit barbarë, personat që mbajnë mbi supe trashëgimin e pushtetit politik. Kjo besoj është një arsye e madhe, sepse në Shqipëri nuk ndodhin ndryshimet e mëdha politiko-sociale që kanë ndodhur në të gjitha vendet e zhvilluara perëndimore.  

Nuk mungojnë rastet në politikën shqiptare, ku njerëz pa shkollë, më gjashtë mujorësh si dhe me aktivitete të paqarta ekonomike të jenë balli i ndryshimeve të rëndësishme ekonomike.  Për fat të keq këtyre personave nuk plas fare për demokracinë dhe për progresin pozitiv të shoqërisë.  Ato thjeshtë i përdorin vlerat e demokracisë për të ruajtur ose për të përfituar privilegjet personale të pushtetit politike dhe atij ekonomik.

Intelektualët duhet të përdorin diturinë e tyre dhe humanizmin e tyre për të luftuar intelektualo-fobinë si dhe për të rifituar statusin që u takon në shoqëri. Përsa kohë intelektualët vazhdojnë të qëndrojnë jashtë procese shoqërore e politike, vendi nuk do të njoh progresin dhe evoluimin që të gjithë dëshirojmë.

Dott. Alban Daci

1 votë. Mesatarja e 5.00 të 5.
Abonohu:
Adresa e-mail