Ç'do të thotë të jesh i pavarur?


Ky është një udhëzues për pavarësinë, një prej vlerave të BBC-së, shkruar nga ish-Shefi i Kontrollit Editorial, Stephen Whittle.

Pavarësia është një prej vlerave të BBCÇdo gjë duket mjaft e thjeshtë. Natyrisht, BBC dhe njerëzit që punojnë për të janë të pavarur. Ne nuk marrim urdhra nga askush.

Ne vendosim vetë për lajmet që do të mbulojmë dhe rëndësinë e tyre. Pavarësia ecën krah për krah me integritetin editorial dhe paanshmërinë. Ne raportojmë pa frikë dhe pa i bërë favore askujt. Kështu është!

Sikur të ishte kaq e thjeshtë?!

Politika

Mbulimi i zhvillimeve politike, veçanërisht në kohë zgjedhjesh, bëhet shumë i vështirë. Çmimi për partinë fituese është marrja e frenave të pushtetit. Ata besojnë se ajo ç’ka duan të bëjnë ata është më e mira për vendin dhe kjo përzierje e pasionit me pushetin është shumë e fuqishme.

Nuk është aspak çudi që të gjitha partitë politike ushtrojnë presion për të siguruar mbulim më të mirë dhe më të favorshëm, parë nga perspektiva e tyre. Ne e pranojmë këtë presion si pjesë të punës sonë.

Kjo sjell sfida me vete, ndërsa zëdhënësit dhe këshilltarët për median përpiqen të bindin, ndikojnë apo edhe të bëjnë presion mbi ju dhe redaktorin tuaj për të treguar ngjarjen siç duan ata. Dhe kur është në favor të tyre, ata preferojnë që kjo të jetë në krye të lajmeve.

Ka raste kur situata bëhet shumë e vështirë dhe ka kërcënime të llojit të butë dhe jo të butë. Duhet një farë zgjuarsie mbi atë që po ndodh dhe shumë kurajo për të thënë “jo”. Por kjo ndonjëherë mund të jetë çmimi për pavarësinë.

Ju duhet të jeni syhapur përballë triqeve të vërtitjeve dhe “bindjes” dhe të jeni gati të mbroni të drejtën që keni për t’i paraqitur çështjet dhe ngjarjet siç i shihni ju dhe jo si do të duan të tjerët që ju t’i shihni.

Presion i butë

Presionet me të cilat mund të përballeni nga profesionistë të politikës ndahen në të buta dhe të forta.

Presioni i butë përfshin:

-Një ofertë për një intervistë ekskluzive ose të madhe. Mund të jetë e vërtetë, por në të njëjtën kohë mund të tërheqë vëmendjen nga një çështje më e vështirë.

-Oferta për këshillime apo takime informative mbi ngjarje të mëdha. Nuk ka problem të dëgjoni mendimin e tyre për një ngjarje përsa kohë ju mbani mend se shkon deri këtu. Jini të ndjeshëm ndaj drejtimeve që ata mundohen t'i japin ngjarjes dhe pyesni Pse. Shihni dhe argumentet e tjera.

-Lehtësira, akses apo udhëtime- veçanërisht oferta që vijnë papritur. Ndoshta këto nuk mund të kenë si qëllim t’ju influencojnë këtë radhë. Më tepër kanë si qëllim t’ju kenë në anën e tyre në të ardhmen. Gjithmonë merrni këshilla para se të pranoni. Ju ose BBC duhet që gjithmonë të paguajë.

-Mikëpritja. Dreka, darka apo një pije s’mund të jenë problem. Më shumë se kaq - duhet të keni dyshime dhe gjithmonë duhet të mendoni gjatë dhe të merrni këshilla para se të pranoni gjë. Si mund t’i duket kjo një anëtari të audiencës?

Presioni i fortë

Presionet me të cilat mund të përballeni nga profesionistë të politikës ndahen në të buta dhe të forta.

Presioni i fortë përfshin:

-Imponim. Kjo nuk është dhe aq e zakonshme sa më parë, por ende ekziston- shpesh i kombinuar me kërcënim të përshkallëzimit.

-Replikim i menjëhershëm. Përfaqësuesi i shtypit merr në telefon zyrën apo studion gjatë ose menjëherë pas një çështje dhe ju bombardon me arsye se pse lajmi është gabim ose pse nuk duhet ta kishit transmetuar.

-Grabitja e kohës. Ju merr shumë kohë me argumente saqë t’u hapësh rrugë atyre mund të duket rruga më e lehtë.

-Refuzimi për t’u marrë ose kërcënimi. “Si rezultat i kësaj, ne nuk do të marrim më oferta për intervista.”

-Përpjekje për të bërë marrëveshje, zakonisht për intervistat. “Ministri do të vijë, por nuk do të flasë për x...”

-Presion jo të drejtpërdrejtë nëpërmjet figurave të larta të BBC. Kjo dikur ka qenë taktikë e zakonshme. Është vështirë për t’u marrë me të pasi nuk jeni i sigurt se cila është akuza.

-Grindje publike. Zakonisht ka të bëjë me akuza për paragjykime personale.

Në gjithë këto raste ka rëndësi ta njohësh mirë terrenin. Nëse një vendim duket se do të jetë i debatueshëm ose duket i debatueshëm për një individ apo organizatë – jini të sigurt se pse po i merrni këto vendime.

Nuk është shenjë dobësie të mendosh se cilat do të jenë argumentet, nëse do të ketë ndonjë ankesë.

Duhet të jeni të sigurt vetë dhe të keni mundësi të shpjegoni te të tjerët që gjykimet tuaja bazohen në fakte të forta dhe aftësi profesionale.

Pavarësia nuk duhet ngatërruar me kokëfortësi.

Parimi bazë shprehet kështu në udhëzimin editorial:

“BBC është e pavarur nga interesat shtetërore dhe partiake. Audiencat tona duhet të kenë besim se vendimet nuk influencohen as nga presionet politike apo komerciale e as nga interesat personale.”

Nëse e gjeni veten nën presion për të treguar apo ndryshuar një ngjarje, atëherë kërkoni ndihmë. Redaktorët dhe drejtuesit e tjerë janë aty për t’ju ndihmuar ju dhe BBC-në për t’i thënë gjërat si duhet.

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!

Komentet

  • arminda
    • 1. arminda Më 09/10/2014
    bukur
Abonohu:
Adresa e-mail