U shpëton tutorëve, merret në mbrojtje nga policia 18-vjeçarja

Një vajzë 18 vjeçe është marrë në mbrojtje nga ana e policisë, pasi ka ngritur akuza për disa persona që në bashkëpunim me njëri-tjetrin e kanë detyruar me forcë të prostituojë. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Policisë së Korçës, 18-vjeçarja me inicialet B.C. nga fshati Leminot i Korçës, ka kërkuar ndihmën e policisë të premten në mbrëmje dhe pasi është marrë në pyetje ka deklaruar se prej disa muajsh ishte mbajtur e izoluar në një shtëpi të marrë me qira në Korçë. Burimet zyrtare të policisë thanë se vajza ka treguar vetëm emrin e njërit prej personave që e kanë detyruar të prostituojë, ndërsa ka akuzuar disa të tjerë, të cilëve nuk u ka zbuluar identitetin. Sipas burimeve policore, nëse deklaratat e vajzës do të vërtetohen, atëherë kemi të bëjmë me një rast tepër të rëndë të shfrytëzimit të prostitucionit në vend. Vajza nga fshati Leminot pretendon se personat që e mbanin të izoluar i sillnin përnatë klientë, të cilëve ishte e detyruar t‘u bindej, madje ndonjëherë e çonin edhe në hotele e motele në Korçë dhe në qytete të tjera. Adoleshentja tha se të premten në mbrëmje kishte arritur të dilte fshehurazi nga shtëpia ku mbahej e mbyllur dhe i është drejtuar për ndihmë patrullës së parë të policisë që i ka dalë përpara. Menjëherë pas marrjes së kallëzimit, policia ka organizuar një aksion për arrestimin e 31-vjeçarit Olsi Bajraktari, i cili është i akuzuari kryesor nga adoleshentja. Bajraktari u arrestua pas mesnate në shtëpinë e tij dhe po pyetet në lidhje me akuzat. Ndërkohë ka nisur puna për verifikimin e deklaratave të vajzës 18-vjeçare dhe identifikimin e personave për të cilët ajo nuk ka dhënë emra, por vetëm përshkrime fizike dhe të dhëna të tjera ndihmëse. Ndërkohë, Policia e Korçës është informuar dje për gjetjen e një vajze e cila ishte zhdukur që nga viti 1997. Aurora Latollari, e vitlindjes 1981, është kthyer dje në Shqipëri nëpërmjet Portit të Durrësit dhe është ndaluar nga policia, pasi ishte shpallur person në kërkim, si e zhdukur. Më 26 janar 2007 familjarët e saj kishin bërë një kallëzim dhe deklaruar se kishin humbur kontaktet me të që prej datës 25.09.1997. Nga deklarimet e vajzës mësohet se për disa vite ajo ishte shfrytëzuar si prostitutë, ndërsa më pas kishte denoncuar tutorët dhe kishte filluar një jetë të re në Itali.

{Shqip}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail