Protestë për të zhdukurit gjatë luftës

Violeta Hyseni BBC, Prishtinë

Familjarët e personave të zhdukur kanë protestuar të premten pranë institucioneve të Kosovës, duke kërkuar zbardhjen e fatit të më shumë se 1800 personave të rrëmbyer nga forcat serbe gjatë luftës.

Kryetari i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Haki Kasumi tha se qëllimi i protestës ishte t’ u rikujtohet udhëheqësve të vendit se është e drejtë elementare e familjarëve që të kenë një informacion për vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

Në protestë u kërkua edhe përshpejtimi i miratimit të ligjit për të zhdukurit e luftës dhe hartimi i listës së personave që mungojnë.

“ Çfarë kuptimi ka që 11 vjet pas luftës të mos e kemi ne si shtet listën tonë për të zhdukurit, por të shërbehemi me lista të huaja” , shprehet zoti Kasumi.

Në një deklaratë dhënë BBC-së, ai tha se familjarët e të zhdukurve protestojnë edhe kundër raportit të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili pretendon kryerjen e krimeve kundër civilëve serbë nga pjesëtarë të ish-UÇK-së në kufirin ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.

“ Na ka shqetësuar tej mase raporti i deputetit zviceran, i miratuar nga Këshilli i Evropës. Ne kemi planifikuar dhe jemi duke punuar në realizimin e një proteste pas selisë së KE-së në Strasburg, nëse për këtë gjejmë mbështetje” , deklaroi përfaqësuesi i familjarëve të personave të zhdukur në Kosovë, Haki Kasumi.

Ai i bëri thirrje Prishtinës që të përgatitet më seriozisht për bisedimet e pritshme me Beogradin, në të cilat do të diskutohet edhe çështja e të zhdukurve. “ Ne jemi të bindur se nuk është punuar sa duhet, se nuk janë formuar grupet të cilat do të ishin të denja që të përfaqësonin dhe mbronin të drejtat e këtyre qytetarëve dhe të nxjerrin në shesh të vërtetën dhe fajtorin kryesor për mungesën e 1823 njerëzve që aktualisht i mungojnë Kosovës” , theksoi zoti Kasumi.

Në disa vitet e fundit, delegacionet e Prishtinës dhe të Beogradit janë takuar dhjetëra herë në përpjekje për të zbardhur fatin e personave të zhdukur gjatë luftës, por rezultatet kanë qenë të pakta. Sipas zyrtarëve të qeverisë së Kosovës, procesi për gjetjen e personave që mungojnë po ecën ngadalë dhe me shumë vështirësi, kryesisht për shkak të fshehjes së gjurmëve të krimit në shumë vende.
Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail