Presidenti Topi dekreton emërimin e 4 gjyqtarëve në shkallët e larta të gjyqësorit

Emërimi i gjyqtarëve, pas debateve të ashpra në mbledhjen e KLD
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar emërimin e disa gjyqtarëve në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Tiranë, atë të Apelit dhe Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Në mbështetje të neneve 93 dhe 136, pika 4 të Kushtetutës si dhe të nenit 12, të ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, presidenti Topi ka dekretuar emërimin e Artan Zenelit gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, si dhe të Fehmi Petkut, gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, Tiranë.

Po ashtu presidenti Topi ka dekretuar emërimin e Hysni Demirajt dhe Gjin Gjonajt gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, Tiranë. Emërimi i gjyqtarit Gjin Gjoni dhe Fehmi Petkut është bërë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zhvilluar ditën e mërkurë.
Gjyqtari Zeneli
Artan Zeneli, ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Ai ka një CV mjaft të pasur në drejtësinë shqiptare. E ka nisur karrierën si gjykatës në gjykatën e kryeqytetit, për t'u bërë më pas zëvendëskryetar i saj. Zeneli ka qenë gjyqtar i një sërë çështjesh të bujshme në kryeqytet. Pas largimit nga Gjykata e Tiranës, ka punuar për disa vite si avokat. Artan Zeneli ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Më pas ka filluar punë në organet e drejtësisë. Është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Zeneli cilësohet si një gjyqtar profesional me një begrund të pasur në fushën e jurisprudencës, gjë që duket se ka ndikuar dhe në përzgjedhjen e kandidaturës së tij nga kreu i shtetit.
Në muajin prill, në banesën e avokatit Artan Zeneli, është vënë tritol e cila dyshohej për një paralajmërim, për shkak të sasisë së vogël. Vetë avokati Zeneli, pas ngjarjes, mohon të ketë pasur konflikte me ndonjë person. Burime zyrtare policore të policisë së kryeqytetit bëjnë të ditur se një sasi e konsiderueshme tritoli ka shpërthyer në orët e mesnatës në banesën e avokatit të njohur, Artan Zeneli, i njohur si avokat i disa çështjeve të bujshme, mes të cilave dhe ish-avokati i Nikolin Jakës dhe avokat aktual i drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2 të mesnatës, ndërkohë që sasia e tritolit ka shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale.
Gjyqtari Gjoni
Gjin Gjoni njihet si një nga gjyqtarët më me përvojë në Gjykatën e Tiranës. Gjatë 17 viteve punë, në fillim si asistent dhe më pas si gjyqtar, ai ka kaluar në dorë me qindra procese të bujshme. Këto si gjatë kohës kur në pushtet ka qenë Partia Demokratike dhe kur erdhën socialistët. Por, ato që e kanë bërë atë të njohur kanë qenë dy proceset që, sipas specialistëve, veprat penale të të akuzuarve, futen në krimet e rënda dhe trafiqe. Bëhet fjalë për dosjen e Arben Grorit, një personazh shumë i njohur i botës së krimit, i akuzuar për trafik droge.

Ai e dënoi “të dënuarin” e drejtësisë italiane me 25 vjet burg. Por, një proces tjetër ka qenë e ai i ashtuquajtur “Kokaina”, kur të akuzuar kanë qenë Sokol Koçiu, ish-drejtor i Policisë së Vlorës dhe shef i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme. Bëhet fjalë për një trafik ndërkombëtar të kokainës ku përfshiheshin dhjetëra shtete, mes të cilave edhe Shqipëria. Edhe në këtë rast, Gjin Gjoni ka dhënë vendime shumë të ashpra, të mbështetura këto në Kodin Penal. Vendimet e dhëna nga ky gjyqtar janë futur në të gjitha manualet dhe të dhënat e drejtësisë shqiptare. Gjin Gjoni ka qenë pjesë e Gjykatës së Krimeve të Rënda të shkallës së parë për disa vite, por dha dorëheqjen në vitin 2002 pas disa sulmeve të drejtpërdrejta nga KLD-ja e asaj kohe.
Gjyqtari Petku
Gjyqtari Fehmi Petku ka një karrierë jo më të paktë se ajo e gjyqtarit Gjoni. Një ndër çështjet e rëndësishme që pritej të shqyrtonte gjyqtari Fehmi Petku, ka qenë edhe padia e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ka kërkuar rrëziimin e vendimit të Prokurorisë për mosfillimin e hetimeve për Kryeprokuroren. Pas shortit elektronik, kërkesa i ra për të shqyrtuat gjyqtarit tashmë të Apelit për Krimet e Rënda, Fehmi Petku.
Ndërsa Hysni Demiraj prej 13 vitesh ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Gjirokastër.
Mbledhja e KLD
Një ditë më parë mbledhja e KLD u shoqërua me debate të ashpra, ku si rend dite ishin masat disiplinore ndaj disa gjyqtarëve dhe emërimet e disa të tjerëve. Për emërimet e reja janë zhvilluar edhe debatet, ku katër gjyqtarë të Krimeve të Rënda janë përjashtuar nga emërimet e reja, duke sjellë reagimin e këtyre të fundit. Njëri prej tyre ishte gjyqtari Gurali Brahimllari, i cili kishte kërkuar që të transferohej në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Megjithatë, për këtë vend ishin në garë tre gjyqtarë të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës. Fitues u shpall gjyqtari i Shkallës së Parë, Fehmi Petku. Emërimet e tjera ishin ato të Gjin Gjonit, i cili la Gjykatën e Tiranës dhe u transferua në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Më parë ky gjyqtar ishte proceduar për parregullsi në gjykim. Megjithatë, shumica e anëtarëve të KLD-se kanë votuar që Gjoni të ngrihet në detyrë. Një emërim tjetër ishte Artan Gjermeni, i cili la Elbasanin për të punuar në Gjykatën e Tiranës. Anëtari i KLD-së nuk ka votuar për transferimin e tij, ndërsa kolegët ia kanë dhënë këtë shans. Ndërkohë, ulja e vetme në detyrë ishte ajo e gjyqtarit Albert Meçe, i cili u emërua gjyqtar i thjeshtë në Gjykatën e Tiranës. Ndërsa, Marjana Semini u emërua drejtoresha e re e Shkollës së Magjistraturës.

{Agjensia "Sot"}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail