Pakt i fshehtë për 4 varreza greke

Athine / Arjan Qendro

Një tjetër temë e nxehtë mund t'i shtohet shumë shpejt axhendës problematike të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Burime nga Ministria e Jashtme greke informojnë orët e fundit për një presion në rritje të Athinës mbi Tiranën zyrtare, lidhur me çështjen e varrezave të ushtarëve grekë që luftuan në Shqipëri në kohën e luftës italo-greke. Burimet diplomatike thanë për MAPO-n se i gjithë diskutimi i palëve po përqendrohet në një marrëveshje  që do të nënshkruhet mes dy qeverive së afërmi dhe e cila është në përfundim e sipër. Mësohet se bisedimet e radhës do të mbahen në muajin korrik dhe se pala greke ka propozuar tashmë që pala shqiptare të marrë në shqyrtim disa elemente që mund të jenë mjaft delikate, brenda një dosjeje po kaq delikate.
Sipas propozimit grek, nuk do të jenë një, dy apo tri varreza memoriale të ushtarëve grekë në Shqipëri, por plot katër të tilla. Gjithmonë sipas palës greke, ato kërkohet të ndërtohen në Këlcyrë, Ersekë, Çiflig të Korçës dhe Bularat. Pra, Kosina dhe konflikti që ajo shkaktoi, kur në maj të 2006-ës u zhvarrosën eshtrat e banorëve të zonës me pretekstin e gjetjes së varreve të ushtarëve grekë, nuk e kanë ndalur siç shihet projektin e Athinës për të krijuar varreza ushtarësh në disa lokalitete të Jugut.
Një element tjetër delikat mbetet ai i identifikimit të numrit të ushtarëve grekë të rënë në vendet ku kërkohet të ndërtohen varrezat në fjalë. Deri më sot shtypi shqiptar ka informuar pjesërisht rreth këtij problemi. Sipas raporteve të mediave, rezulton për shembull se në mauzoleum e Grykës së Këlcyrës bashkë me eshtrat e ushtarëve grekë ishte planifikuar edhe vendosja e eshtrave të zhvarrosura në fshatrat e Përmetit. Sipas banorëve të kësaj zone, në afërsi të Grykës së Këlcyrës kanë qenë vetëm 36 varre të ushtarëve grekë të vrarë në betejën e malit të Golikut nga trupat e batalioni italian, "Ujqit e Toskanës". Mbetet ende e paqartë pjesa tjetër e të rënëve grekë në Ersekë, Bularat apo në rrethin e Korçës. Ndërkaq në projektmarrëveshje mësohet se do të përfshihet edhe zgjerimi i nocionit të të rënëve, duke futur në të edhe personelin teknik apo klerikët që shoqëronin ushtrinë greke gjatë asaj beteje me pushtuesit italianë në tokën shqiptare. Nuk është e vështirë të kuptohet, duke parë shpejtësinë dhe dëshirën e ethshme të palës greke për të aprovuar marrëveshjen në fjalë me palën shqiptare, sesa me rëndësi konsiderohet në Athinë problemi i "legalizimit" dhe i përmbylljes së një pike të nxehtë në marrëdhëniet tona, - atë që ka të bëjë me ushtarët e luftës italo-greke.
Një problem që ka qenë gjithmonë sensitiv mes dy vendeve dhe që është shtyrë për vite me radhë pa gjetur një zgjidhje përfundimtare. Deri në vitin 2005, kur në pushtet ishin socialistët, përgjigjet e Tiranës zyrtare në atë kohë ishin diplomatike dhe evazive. Nënteksti kuptohej, kjo çështje prekte e prek dhe sot një shqisë të ndjeshme të së shkuarës, e cila lidhet jo vetëm me rolin e italianëve e grekëve në atë konflikt, por edhe të çamëve të Greqisë, të cilët u skeduan më së shumti në bazë të kësaj ngjarjeje si "aleatë të fashizmit". Për këtë arsye, çdo hap i hedhur në drejtim të nderimit të të rënëve grekë të asaj kohe nuk mund të mos ekspozojnë anën tjetër të problemit, e cila prek shqiptarët.
Nën këtë prizëm u konsumua edhe incidenti i Kosinës i dy vjetëve më parë. Që nga ajo kohë qeveria e zotit Berisha është akuzuar mjaft shpesh për një linjë të butë ndaj Athinës Zyrtare të drejtuar nga qeveria e djathtë e Karamanlis. Zhvarrimet abuzive të Kosinës (në të cilat u përfshi paradoksialisht edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë), ku në vend të ushtarëve u zbuluan eshtra fëmijësh, vunë në një pozitë të sikletshme Kryeministrin Berisha.
Nuk dihet nëse është pikërisht kjo politikë koncesionesh shtysa kryesore për kërkesën e fundit të palës greke që varrezat e ushtarëve grekë të shkojnë në katër të tilla në jug të Shqipërisë. Gjithsesi ky akt vendoset në një panoramë lëshimesh nga ana e qeverisë tonë, e cila rregullisht ka ceduar përballë presioneve të qeverisë greke.
Mjafton të kujtohet se në maj të këtij viti, ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Maimarakis, anuloi vizitën e tij në Tiranë, vetëm për shkak të problemit të varrezave greke në tokën tonë. Nga ana tjetër nuk ka sesi të mos bjerë në sy fakti tjetër po kaq i pazakontë. Greqia dhe Shqipëria nuk kanë nënshkruar që nga janari i vitit 2006 një marrëveshje dypalëshe mes tyre, përjashtuar rinovimin e marrëveshjes rutinë për dërgimin e të sëmurëve tanë në spitalet greke. Kjo pauzë flet qartë për nivelin e ulët faktik të marrëdhënieve pa anashkaluar edhe shtyrjen e ratifikimit të MSA mes vendit tonë dhe BE nga ana e parlamentit grek, ose mosnjohjen e Kosovës, nëse marrëdhëniet do të shiheshin në një prizëm më të gjerë.
Propozimi grek për varrezat e luftës italo-greke pret përgjigjen e palës shqiptare. Bisedimet e korrikut do të nxjerrin një konkluzion ndoshta final lidhur me kërkesat greke, por burime diplomatike në Athinë besojnë se një akord i pranueshëm për palët do të arrihet mjaft shpejt. Mbetet të shihet nëse ai do të jetë i kënaqshëm edhe për opinionin publik shqiptar, i cili siç ka ndodhur në raste të ngjashme ka reaguar mjaft ashpër ndaj hapave të iniciuara në Athinë dhe të firmosura në Tiranë.
Marrë nga revista “MAPO”

{PanoramaOnline}

Asnjë vlerësim. Bëhu i pari që e jep atë!
Abonohu:
Adresa e-mail