Mirësevini

  • Udhëzimi i MASH për konkursin për Artet, Sportet, Arkitekturën

    Maturantët që do të pranohen në këto Institucione, përveç rezultateve të Maturës Shtetërore do tu duhet të jenë të suksesshëm edhe në këto konkurse

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikoi dje udhëzimin për organizimin e konkurseve të pranimit që do të realizohen në disa Institucione publike të Arsimit të Lartë. Sipas udhëzimit, pranimet e studentëve në Akademinë së Arteve, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, në programin e studimit të Arkitekturës të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” të Universitetit të Shkodrës, ashtu si edhe këto dy vjet do të bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore dhe të rezultateve nga konkursi i pranimit i organizuar nga këto Institucione Publike të Arsimit të Lartë. Maturantët që do të pranohen në këto Institucione, përveç rezultateve të Maturës Shtetërore do tu duhet të jenë të suksesshëm edhe në këto konkurse, që organizohen për shkak të profilit të veçantë të këtyre programeve, në bazën e të cilave qëndron talenti dhe përgatitja fizike. Këtë vit, MASH vendosi ti organizojë këto konkurse në korrik, në mënyrë që raundet e pranimeve në universitete, sipas sistemit Meritë-Preferencë (MeP), të përfundojnë më herët dhe brenda javës së parë të vitit akademik 2008-2009. Sipas udhëzimit, në Akademinë e Arteve rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20% dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 80%. Në bazë të propozimit të këtij institucioni, kandidati që nuk do të marrë 25% të pikëve të konkursit të pranimit nuk fiton të drejtën për të studiuar në programet e studimit të kësaj Akademie për vitin akademik 2008-2009. Ndërkohë, në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” në Tiranë dhe në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës raporti mes provimeve të Maturës dhe konkursit të pranimit do të jetë në masën 30% (Matura) me 70% (konkursi). Në programin e studimit “Arkitekturë” në Universitetin Politeknik të Tiranës ky raport i rezultateve do të jetë në masën 35% me 65%, ku përsëri peshën kryesore do ta ketë konkursi i IAL. Afati i regjistrimeve për të gjithë maturantët, që do të kërkojnë në Formularin A2 këto programe studimi, do të jetë periudha nga data 1 deri në 18 korrik 2008, nga ora 09.00, deri në orën 17.00 pranë sekretarive të Fakulteteve përkatëse. Udhëzimi parashikon gjithashtu që rektoratet dhe dekanatet e Institucioneve publike të Arsimit të Lartë të shpallin në Këndin e Njoftimeve dhe në mjediset e dukshme të institucioneve të tyre: datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme, për të siguruar një ecuri normale të procesit të regjistrimeve në konkursin e pranimit, për ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë.


    Data e zhvillimit të konkurseve dhe tarifat

    1. Akademia e Arteve

    Për të gjitha programet e studimit në
    a. Fakultetin e Muzikës : 22 - 30 korrik 2008.
    b. Fakultetin e Artit Skenik : 22 - 26 korrik 2008
    c. Fakultetin e Arteve Figurative : 22 - 25 korrik 2008
    2. Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”

    Për të gjitha specialitetet: 22 - 27 korrik 2008

    3. Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës

    Për programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte”: 28- 31 korrik 2008

    4. Universiteti Politeknik i Tiranës

    Për programin e studimit “Arkitekturë”: 26 - 28 korrik 2008

    III- Tarifat e regjistrimit të kandidatëve pjesëmarrës në konkurset e pranimit në Institucionet e mësipërme publike të Arsimit të Lartë, do të jenë:

    1. Në të gjitha programet e studimit në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”: 4 000 lekë (te reja)

    2. Në të gjitha programet e studimit në
    Akademinë e Arteve: 4 500 lekë (te reja)

    3. Në programin e studimit “ Edukim fizik dhe sporte” në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” : 4 000 lekë (te reja)

    4. Në programin e studimit “Arkitekturë” në Universitetin Politeknik të Tiranës: 4 500 lekë. (te reja)


    Hartimi i testeve të Maturës Shtetërore
    në kushte të rrepta sigurie

    Mjediset e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) janë të izoluara me të gjitha mënyrat e kontrollit nga mjedisi i jashtëm dhe personeli futet në këto mjedise pasi Policia e Shtetit ka inspektuar këto mjedise me metal-detector. Personeli i nënshtrohet kontrollit trupor të policisë në momentin e hyrjes në Agjenci dhe pas fillimit te KOEPS-it (Koha e Ekspozimit Potencial të Sekretit - periudha e izolimit, ku askush nuk mund të dalë nga këto mjedise, pa lejen e MASH dhe Policisë së Shtetit) për të evituar praninë në këto mjedise të telefonave dhe çdo pajisjeje tjetër telekomunikuese. Por që nga viti 2006 titullari i AVA-s me autorizim të MASH-it dhe leje të Policisë së Shtetit mban një celular të kontrolluar (pa akses interneti) për të komunikuar me eprorët në rast emergjence teknike e shëndetësore. Tërësia e masave, kushteve të sigurisë dhe përzgjedhja cilësore e profesionale e personelit, përbëjnë një garanci për të gjithë, se procedura e përgatitjes së testeve do të zhvillohet në kushtet e korrektesës dhe sekretimit të plotë në përputhje me rregullat në fuqi.

    Drejtoria Rajonale e Arsimit, merr
    masat për provimet e Maturës Shtetërore

    Një ndër prioritetet e reformës arsimore është edhe matura shtetërore, e cila zhvillohet për të tretin vit në vendin tonë. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Kujtim Mema, tha dje se “pas marrjes së urdhrit të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, edhe ne si drejtori hartuam një plan pune për ndjekjen e problemeve për zhvillimin e provimeve. Të gjithë sektorët e drejtorisë morën detyrat përkatëse për ti realizuar brenda afatit të përcaktuar duke bashkëpunuar edhe me drejtoritë e shkollave të mesme”. Gjithashtu sipas Memës u ngrit edhe komisioni i Maturës Shtetërore pranë drejtorisë, komision i cili menjëherë hyri në veprim për përmbushjen e detyrave që rrjedhin nga udhëzimet e MASH. Tashmë në të gjitha shkollat e mesme të rrethit janë dërguar materialet si dhe programet orientuese për lëndët që do të japin provim nxënësit. Sipas Memës” ndryshe nga vitet e tjera në maturën shtetërore të vitit 2008 u zbatua Këshillimi i Karrierës për nxënësit maturantë, me anë të të cilit çdo nxënës ka marrë informacionet e duhura nga drejtoria e shkollës së mesme për takimet e zhvilluara në universitete në kuadrin e “Ditëve të Gjimnazistëve në Universitete”.

    {Gazeta55}

  • ILO- 40 mijë fëmijë pa shkollë

    12 qershor, ora 15:00 -

    Në Shqipëri ka më shumë se 40 mijë fëmijë të cilët nisur nga kushtet e vështira ekonomike kanë braktisur shkollën dhe janë punësuar.

    Në Shqipëri ka më shumë se 40 mijë fëmijë të cilët nisur nga kushtet e vështira ekonomike kanë braktisur shkollën dhe janë punësuar.

    Raporti i bërë nga dy shoqata mësuesish, kërkon nga qeveria marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e këtij problemi.

    “Problemi qëndron edhe në firmat e shumta që operojnë në Shqipëri,sidomos ato që merren me industritë e këpucëve dhe të veshmbathjeve.

    Shumë prej këtyre firmave kanë të punësuar në personelin e tyre fëmijë” – thuhet në raport. Por jashtë përgjegjësisë, nuk mbeten as pronarët e këtyre firmave, të cilët zhvillojnë aktivitet në Shqipëri për shkak të kostove të ulëta të pridhimit.

    Raporti i publikuar, ngre edhe një fenomen, i cili jo pak herë është denoncuar edhe nga mediat, trafikimi i fëmijëve.

     Sipas Organizatës Botërore të Punës, ILO, më shumë se 3 mijë fëmijë shqiptarë janë trafikuar në drejtim të Greqisë dhe Italisë, për t’u përdorur kryesisht si lypësa apo në rastin edhe më të keq, si hajdutë. Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, në bazë të raportit të fundit, vlerëson se rreth 25 % e personave të trafikuar i përkasin moshës 14-17 vjeç.

    {Shekulli Online}

  • BB: Tarifat e telefonisë, 3-herë më lartë se Evropa

    Në vend mungon konkurrenca, ndërsa kuadri rregullator dhe masat e qeverisë janë të mangëta

    Julian Llupo

    Banka Botërore i bën thirrje Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor të ulin tarifat për shërbimet e telekomunikacionit.

    “Çmimet e telefonisë në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë tre herë më të larta se në Evropë. Çmimet janë tre herë më të larta jo vetëm për thirrjet që bëhen nga Shqipëria drejt vendeve të tjera apo brenda vendit, por edhe për telefonatat që vijnë nga jashtë.

    Një fakt i tillë sipas raportit është më se i dukshëm. “ Nëse merret si shembull një telefonata nga Anglia drejt vendeve të BE-së, ajo është 3 herë më e lirë se një telefonatë po nga Anglia në drejtim të vendeve të Shqipërisë apo të vendeve të tjera të BE-së.

    “Ulja e kostove të tilla mund të jetë shumë e madhe, duke u bazuar në një analizë të infrastrukturës e prodhueshmërisë së vendeve në Evropë dhe në Azinë Qendrore”.

    Gjithashtu Banka Botërore bën thirrje për përmirësimin e infrastrukturës së Telekomit e cila do të ndihmojë në integrimin rajonal, si dhe do të ndihmojë bizneset të përballojnë pjesërisht rënien ekonomike në pjesën më të madhe të vendeve të vogla.

    Raporti i Bankës Botërore i renditet sektorët e telekomunikaciont dhe atë të energjisë si nga më të rëndësishmit në zhvillimin e biznesit në Shqipëri. Tregu i Telekomunikacionit dhe ai i Energjisë llogariten në rreth 1 miliardë euro, duke qenë së bashku një nga pjesët më të rëndësishme të ekonomisë së vendit.

    Qeveria e dështuar në rregullim


    Këto tregje sipas raportit të BB duhet që të jenë të rregulluara, pra qeveria të orientojë çmimet drejt kostos. Por përveç se ka një kuadër rregullator të mangët në këtë drejtim, raporti sqaron se qeverive të vendeve të Evropës Juglindore, ku përfshihet edhe Shqipëria i mungon vullneti për të ndryshuar këtë situatë.

    Një nga pikat e tjera, që sipas stusimit të BB është tepër e dukshme në tregun e telefonisë, është mungesa e konkurrencës. Sipas stusimit të realizuar nga BB tregu në Shqipëri, Maqedoni dhe Bosnje-Hercegovina paraqet mundësi të mëdha për uljen e ndjeshme të tarifave. “Nëse do të kishte një konkurrencë midis kompanive apo të ndërmerrej një orientim i tarifave drejt kostove atëherë përfitimet që mund të arriheshin në uljen e pagesave për konsumatorët do të ishin të mëdha”, - thuhet në raport.

    Energjia dhe telekomunikacioni, pengesë për integrimin

    Mungesa e energjisë elektrike për periudha të gjatë dhe kostot e mëdha që mbart sektori i telekomunikacionit, vlerësohen nga BB si pengesa serioze në integrimin e vendit dhe në arritjen e standardeve. Shqipëria mbetet një nga vendet më problematike në të dy këto sektorë të rëndësishëm të infrastrukturës, thekson raporti. Specialistët e BB bëjnë të ditur se energjia elektrike ka shkurtuar për vite me radhë rritjen ekonomike, duke u bërë një nga pengesat kryesorë të vendit në procesin e integrimit.

    Banka Botërore sjell si shembull Shqipërinë ku kufizimet e energjisë- shkruan raporti- janë një problem mjaft shqetësues për investitorët. “Përvoja e viteve të fundit në Shqipëri kanë treguar se kufizimet e energjisë mund të kenë një ndikim të madh në rritjen e GDP-së . Si pasojë kufizimet e energjisë mund të kenë ndikim të madh si në investimet kombëtare, ashtu dhe tek investimet ndërkombëtare”, vazhdon raporti.

    {Shekulli}

  • Si të përballosh stresin e provimeve?

    Si të përballosh stresin e provimeve?

    Dhimbjet e kokës janë të shpeshta, nuk përqëndrohesh, të flihet shumë ose s’ke gjumë fare, përjeton ankth. Ka të ngjarë që këto shenja t’i keni nëse keni për të dhënë provim të nësermen ose gjatë javës.

    Xhuljeta Lamkaj

    Janë simptoma të zakonshme për të gjitha ata studentë që janë me provime në këtë periudhë të përfundimit të vitit universitar. Më shumë stres përjetojnë ata që diplomohen, studentët që janë në përfundim të studimeve akademike. “Kam frikë se mos nuk diplomohem. Ndihem shumë e stresuar pasi nëse nuk marr diplomën e kam të pamundur të punoj në profesionin tim dhe nuk e di se çdo bëj dhe ku do të punoj”- u shpreh një studente në prag të diplomimit në Universitetin e Tiranës. Për shkak të stresit shumë kanë simptomat e mësipërme. Për mos të thënë se disa të tjerë edhe u bie të fikët para hyrjes në provim ose gjatë tij. Ana T. studente për Arkeologji në vitin e tretë, në Fakultetin Histori-Filologji pas provimit i ra të fikët. Mjekët e diagnostikuan se kjo ka ardhur si pasojë e stresit për të cilin trupi e ka pasur të pamundur ta përballonte.

    Megjithatë çfarë duhet për të mësuar në mënyrë të efektshme dhe për ta përballuar më mirë stresin para provimeve.

    “Jam programuar në mënyrë që të mësoj në mënyrë të efektshme. Çohem herët që në mëngjes dhe pasi ha mëngjes filloj menjëherë të studioj” – tha Marsila Mahmutllari, studente në vitin e katërt për Gjuhë-Letërsi, në Universtitetin e Tiranës.

    Megjithatë mes shumë këshillash të specialistëve në këtë fushë do të shkëputnim disa gjëra që ndihmojnë në përballimin e stresit para provimeve. Ushqimi, pushim i mirë dhe program për të mësuar në mënyrë të efektshme.

    Specialistët këshillojnë që brumërat, orizi, frutat, perimet, vezët e ziera dhe qumështi i ngrohtë është i mirë. Ndërsa duhet hequr dorë nga kafja, e cila shoqëron rëndom studentët natën para provimeve. Simptomate mësipërme si ankthi, dhimbja e kokës, pagjumësia mund të fitohen nëse i kontribuon trupit me ushqime me vlera. Nuk duhet të mungojë buka, orizi, qepa, djathi i freskët, vezët e ziera frutat e ëmbla dhe mjalti që favorizojnë gjumin dhe ndihmojnë organizmin të qetësohet për të përballuar energjinë dhe përqëndrimin që duhet para sfidave shkollore.

    Ajo që është e rëndësihme për të ulur stresin është edhe studimi i mirë para provimeve. Të studiosh në mënyrë të efektshme është e mundur. Edhe në këtë fushë specialistët këshillojnë disa metoda. “Të studiosh duke mbajtur shënime të ndihmon të mbash mend më shumë” – ka sugjeruar Zydi Dervishi, sociolog dhe pedagog në universitetin e Tiranës. Një metodë e mirë e provuar nga disa studentë është kjo:

    - HIDHI një sy materialit

    Kjo do të thotë që të shohësh me të shpejtë materialin që të është caktuar, duke parë nëntitujt, kapitujt e kështu me radhë me qëllim që të kesh një ide se çfarë trajtohet.

    -Formulo PYETJE

    Pyetjet formuloji në bazë të kapitujve ose frazave kyçe. Kjo gjë të ndihmon të përqendrohesh në atë që lexon.

    -LEXO duke kërkuar përgjigjet e këtyre pyetjeve

    -Pasi të kesh mbaruar çdo paragraf ose pjesë PËRSËRIT përmendësh ose thuaj me fjalët e tua atë që ke lexuar, pa parë në libër.

    -Kur të kesh mbaruar gjithë materialin, RISHIKO përsëri nëntitujt, duke provuar sa kujton nga çdo pjesë!

    Disa që e kanë provuar këtë metodë kanë pohuar se i kanë ndihmuar që të mbajnë mend rreth 80 përqind të materialit.

    Ajo që mbetet është vetëm të zbatosh këshillat dhe SUKSESE në provime!

    {Shekulli}

    Vazhdo leximin

  • Formulari A2, vetëm një kopje, nuk ka shans të dytë

    Nuk ka ende një datë të saktë, për plotësimin e Formularit A2 në shkollat e mesme, ndërkohë që e vetmja gjë që dihet është se, formulari në të cilin janë vendosur preferencat do të jetë në duart e maturantëve, fill pas provimit të dytë me detyrim në lëndën e Matematikës më datë 17 Qershor.

    Dritan Laci

    MASH, ende nuk ka datë për Formularin A2, pritet përfundimi i provimeve me detyrim të Maturës Shtetërore

    Formulari A2, kushton 2 mijë lekë. Kujdes, kush rrethon gabim, nuk ka mundësi të marrë formular të ri

    Nuk ka ende një datë të saktë, për plotësimin e Formularit A2 në shkollat e mesme, ndërkohë që e vetmja gjë që dihet është se, formulari në të cilin janë vendosur preferencat do të jetë në duart e maturantëve, fill pas provimit të dytë me detyrim në lëndën e Matematikës më datë 17 Qershor. Edhe këtë vit, formularët e shpërndarë në shkolla do të jenë unikë, çka do të thotë se në rast të rrumbullakosjes gabim të preferencave, maturantët nuk do të kenë mundësi të pajisen me formular të ri, kjo pasi Formulari A2 nuk është i riprodhueshëm. Të drejtën për t’u pajisur me Formularin A2, do ta kenë vetëm maturantët që kanë plotësuar kërkesat për provime me zgjedhje. Do të jenë po këta maturantë, të cilët pas plotësimit të formularit, në bazë të një programi kompjuterik, do të shpallen fitues në një degë, duke respektuar dëshirën fillestare dhe kriterin e pikëve të grumbulluara në degët ku ata kanë aplikuar.

    ***

    Për të marrë Formularin A2, maturantët duhet fillimisht të kenë derdhur në bankë pagesën prej 2 mijë lekësh, të caktuar nga Ministria e Arsimit, dhe më pas të bëjnë dorëzimin e faturës në sekretarinë e shkollës ku janë nxënës. Formulari A2 do të jetë i personalizuar sipas të dhënave që maturanti ka hedhur në Formularin A1. Para se formulari të kalojë në duart e maturantëve, ai do të plotësohet fillimisht me përgjegjësi nga mësuesi kujdestar. Në kokën e Formularit A2, ashtu si edhe në Formularin A1, do të jetë e vendosur sigla e Maturës Shtetërore, emri i shkollës, rrethi dhe numri i identifikimit të shkollës, ndërsa në pjesën qendrore, ID e nxënësit, emri, atësia dhe mbiemri i tij, klasa që ka mbaruar si edhe kodifikimi i të dhënave. Të drejtën për të hedhur notën mesatare në kuadratin djathtas-lart në Formularin A2, do ta kenë vetëm mësuesit kujdestarë dhe askush tjetër. Notë mesatare, do të cilësohet nota që maturantët kanë marrë gjatë katër ose pesë viteve të studimit, e cila do të vendoset në Dëftesën e Pjekurisë në përfundim të ciklit shkollor. Për nxënësit të cilët kanë përfunduar shkollën në vitin e parë të zhvillimit të Maturës Shtetërore, do të merret për bazë nota mesatare e shënuar në Dëftesën e Pjekurisë, ndërsa për nxënësit të cilët kanë përfunduar para vitit 2006, do të nxirret nota mesatare e katër ose pesë viteve të studimit. Në këtë llogaritje nuk do të merren parasysh notat e provimeve të maturës. Për të nxjerrë notën mesatare, për maturantët që kanë plotësuar Formularin A1, do të shërbejnë dëftesat origjinale në shkolla, ndërkohë që çdo nxënës do të vihet në dijeni për notën mesatare që do të vendoset në Formularin A2 të tij.

    ***

    vazhdon...

    Vazhdo leximin

  • Provimet me detyrim, pikët e ushtrimit në Gjuhë-Letërsi

    Data 9 qershor po afron, ashtu sikurse janë shtuar ndjeshëm edhe emocionet te maturantët, të cilët në këtë ditë do të përballen me provën e parë të vërtetë, atë të testimit të njohurive të fituara në 4 vitet e shkollës së mesme. Ashtu sikurse edhe është vendosur në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave

    Dritan Laci

     

    Mon, 26 May 2008 08:52:0

    Model testi në Gjuhë-Letërsi, pikët për shkollat e mesme të Përgjithshme, Pedagogjike, Gjuhët e Huaja, Artistike, Sportive dhe kohë të shkurtuar

     

    Data 9 qershor po afron, ashtu sikurse janë shtuar ndjeshëm edhe emocionet te maturantët, të cilët në këtë ditë do të përballen me provën e parë të vërtetë, atë të testimit të njohurive të fituara në 4 vitet e shkollës së mesme. Ashtu sikurse edhe është vendosur në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave, Gjuhë-Letërsia do të jetë provimi i parë me detyrim, ku maturantët do të masin nivelin e nxënies. Provimi i parë, që siç theksuam në hyrje të shkrimit do të jetë me datë 9 qershor, do të pasohet një javë më pas me testimin në Matematikë, që mbyll edhe sesionin e parë të provimeve me detyrim. Për t’u ardhur në ndihmë maturantëve, gazeta “Shekulli” bën publike në faqet kushtuar arsimit, modelin e Gjuhë-Letërsisë të përdorur gjatë maturës së vitit të kaluar, model në të cilin gjithsecili mund të shikojë skemën e ndërtimit të testit, si edhe pikët për secilin ushtrim të dhënë. Ky model është i vlefshëm si për shkollat e mesme të Përgjithshme ashtu edhe për shkollat e mesme Pedagogjike, Artistike, Sportive, Gjuhëve të Huaja dhe me kohë të shkurtuar. Në bazë të këtij modeli testi dhe pikëve që ndodhen në ushtrim, maturantët mund të llogarisin pikët në të dy linjat e vendosura, si në Gjuhë dhe Letërsi, gjë e cila do t’i ndihmojë për të parë gjendjen dhe mundësinë që kanë për të fituar pikët maksimale në këtë provim.

    Vazhdo leximin

  • Roadrunner, superkompjuteri më i shpejtë në botë

    Roadrunner, superkompjuteri më i shpejtë në botë

    Shkencëtarët amerikanë kanë promovuar superkompjuterin më të shpejtë në botë

     Shkencëtarët amerikanë kanë promovuar superkompjuterin më të shpejtë në botë.

    Makina e kompanisë IBM, e quajtur Roadrunner, është në gjendje të bëjë 1 bilionë (1 mijë miliardë) kalkulime në sekondë dhe është dy herë më e shpejtë se superkompjuteri më i shpejtë aktualisht në botë.

     

    Makina do të instalohet në Laboratorin Kombëtar në Los Alamos dhe kryesisht do të përdoret për të monitoruar stoqet bërthamore në Shtetet e Bashkuara.

    Kompjuteri gjithashtu do të shfrytëzohet për kërkime në astronomi, gjenomikë dhe ndryshimet klimatike.

    Roadrunner ka në vete komponenta, të cilat fillimisht ishin disejnuar për të famshmin Sony PlayStation 3.

  • Gjuhëtarët: Disiplina e shqipes po shthuret

    Gjuhëtarët: Disiplina e shqipes po shthuret

    Gjuha shqipe nuk po respektohet as në të folurën e përditshme, por as në atë zyrtare. Gjithmonë e më shumë vihet re se në mbishkrimet e afisheve dhe në gjithë praktikën shkrimore me karakter publik, ka thyerje të disiplinës gjuhësore. Alarmin e kanë dhënë gjuhëtarët, të cilët pohojnë se disiplina e gjuhës shqipe është shthurur dhe ka rënë kujdesi ndaj gjuhës

    Saimir Muzhaka

    Gjovalin Shkurtaj

    Gjuhëtarët japin alarmin se po shthuret disiplina e Gjuhës Shqipe nga mungesa e rregullave drejtshkrimore dhe fjalët e huaja

    Shkurtaj: E ardhmja e Shqipes nuk do të jetë e mirë, nëse nuk e mbrojmë gjuhën tonë të bukur

    Gjuha shqipe nuk po respektohet as në të folurën e përditshme, por as në atë zyrtare. Gjithmonë e më shumë vihet re se në mbishkrimet e afisheve dhe në gjithë praktikën shkrimore me karakter publik, ka thyerje të disiplinës gjuhësore. Alarmin e kanë dhënë gjuhëtarët, të cilët pohojnë se disiplina e gjuhës shqipe është shthurur dhe ka rënë kujdesi ndaj gjuhës. "Gjuha shqipe është e gjerë dhe e bukur shumë, ka fjalë fort të mira për të venë në vend të fjalëve të huaja". Këtë shprehje e ka thënë shumë kohë më parë Naim Frashëri, e, me sa duket, sot tingëllon më aktuale se kurrë. Sot gjen me qindra emërtime nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar, të cilat vuajnë nga gabimet drejtshkrimore apo fjalët e huaja. Është bërë e modës të vendosen fjalë të huaja, të pahijshme, kur shumë mirë këto mund të gjenden brenda fjalorit të pasur të Shqipes. Gjuhëtarët japin shqetësimin e tyre, duke theksuar se kjo situatë nuk ndikon mirë në formësimin e brezave të rinj, të cilët i ndeshin këto fjalë përditë. Gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj shprehet për gazetën "Shekulli" se kjo situatë nuk është vetëm e gjuhës shqipe, por edhe e krejt kulturës së sotme shqiptare, e cila na trishton dhe na bën të trembemi se e ardhmja e shqipes nuk do të jetë e mirë, në qoftë se nuk punojmë me gjithë shpirt dhe përkushtim për ta mbrojtur gjuhën tonë të bukur.

    Gabimet drejtshkrimore

    Ka shumë raste kur tabelat e emërtimeve përmbajnë gabime të shumta në drejtshkrim, shpesh ë-të mungojnë, a thua se kjo germë nuk ekziston në trajtën e shkruar të shqipes. Një shembull i tillë, është "Ministria e Brendeshme" në një tabelë të Komandës në Tiranë. Fjala "e Brendeshme" përmban një "ë" të panevojshme me rregull drejtshkrimor, sipas Prof.dr.Shkurtaj. Ndërsa Pallatit të Kulturës në qendër të Tiranës i mungon nyja "i", problem ky që është përhapur së shumti pasi mungesa e nyjave është bërë e modës nëpër emërtime. Një qendër shëndetësore harron të ndajë fjalën nga nyja, duke nxjerrë kështu një fjalë të re, "për ruajtjen e", në vend që të shkruante "për ruajtjen".

    Mania e fjalëve të huaja

    Shqipja gjithnjë e më shumë po vuan edhe nga fjalët e huaja, të cilat janë kthyer në një epidemi për bizneset apo aktivitetet private. Të gjithë pëlqejnë të vendosin emra të huaj. "Ka lindur dëshira për të qenë modernë. Kjo nuk është diçka e keqe, por është negative dëshira e disave për të shfaqur modernitetin me fjalë të huaja",- tregon Shkurtaj, duke shtuar se të tmerron trumbeta e drafteve, implementimeve, fizibiliteteve dhe kushedi sa fjalëve të huaja që kanë hyrë në gjuhën tonë.

    Shkurtaj: Ja kush duhet të kujdeset për gjuhën

    Probleme drejtshkrimore në tekstet e rrugëve apo tabelat e ndryshme të aktiviteteve, qofshin këto private apo publike, nuk i ka vetëm Tirana, por edhe qytete të tjera të Shqipërisë. Pothuajse i gjithë vendi është mbushur me mbishkrime në gjuhë të huaja ose në një shqipe jo të shkruar mirë. Sipas Prof.dr Gjovalin Shkurtaj, kjo situatë ngarkon me përgjegjësi Ministrinë e Kulturës, Bashkinë e Tiranës, komunat apo bashkitë e vogla në vend, të cilat e kanë për detyrë funksionale të kontrollojnë çdo gjë që shkruhet nga pikëpamja e konceptit, nëse lejohet apo jo. "Veprimtaritë, ndërmarrjet mund të jenë private por nuk ka asnjë veprimtari që të mos jetë e licencuar nga shteti. Kështu, bashkë me licencën duhet caktuar qartë edhe emërtimi, duke zbatuar rregullat e drejtshkrimit dhe normat e Gjuhës Shqipe".

  • Juridiku, propozohet ulja e pranimeve

    Juridiku, propozohet ulja e pranimeve

    Dritan Laci

    Universiteti i Tiranës, propozon 10 për qind rritje të pranimeve për disa fakultete

    Nga 600, këtë vit, te Drejtësia mendohet të pranohen rreth 400 studentë. Zv/rektori Varfi, thotë se shkurtimi vjen si mungesë e pedagogëve

    universitetAuditorët vazhdojnë të vuajnë mungesën e stafit të duhur akademik, por kjo duket se nuk i pengon institucionet drejtuese të arsimit të lartë publik, të shtojnë nga viti në vit numrin e pranimeve të studentëve. Me shumë siguri, kështu duket se do të ndodhë edhe këtë vit akademik në Universitetin e Tiranës, ku përflitet për tjetër shtim të konsiderueshëm të numrit të studentëve që do të ulen për herë të parë në auditorë. Nonda Varfi, zv/rektor në Universitetin e Tiranës, është shprehur në një prononcim për gazetën "Shekulli" se nuk ka vend për shqetësime pasi këtë vit, krahas rritjes së numrit të pranimeve, do të ketë edhe shtim të numrit të personelit akademik. Ai sqaron se deri në fillim të vitit akademik, puna në disa fakultete të cilat kanë dyndje të lartë të studentëve, do të jetë vendosur në vijë.

    Shtohen kuotat, auditorët në vend numëro

    Numri i pranimeve në vitin e ri akademik 2008-2009 mendohet të rritet me 10 për qind krahasuar me vitin akademik në vazhdim. E thënë ndryshe, në muajin tetor, në auditorë do të ulen, gjithmonë nëse propozimet e Rektoratit të Universitetit të Tiranës miratohen nga Këshilli i Ministrave, rreth 500 studentë më shumë se vitin e kaluar. Gjithsesi, rritja nuk do të jetë në progres të drejtë për të gjitha degët, pasi është menduar që gjatë vitit të ardhshëm akademik disa degë, të ashtuquajtura të privilegjuara, të kenë shkurtim të konsiderueshëm të numrit të pranimeve. Zv/rektori i Universitetit të Tiranës, Nonda Varfi është shprehur se ky shkurtim i numrit të pranimeve, është bërë me qëllim për t'i dhënë balancën e duhur disnivelit që ekziston midis numrit të studentëve në raport me atë të pedagogëve. Sipas një studimi të kryer kohë më parë, në Universitetin e Tiranës rezulton se raporti student/pedagog është 1 me 10 ndërkohë që ky raport, sipas standardeve të universiteteve evropianë, nuk duhet të jetë më shumë se 1 me 4.

    Vazhdo leximin

  • 22 mijë nxënës të Kosovës sot i nënshtrohen Testit Kombëtar të Maturës

    07.06.2008
    Prej orës 10:00 të mëngjesit të sotëm, në 29 komuna të Republikës së Kosovës ka filluar mbajtja e provimit të maturës përreth 22 mijë nxënës, kanë njoftuar zyrtar të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

    Prej orës 10:00 të mëngjesit të sotëm, në 29 komuna të Republikës së Kosovës ka filluar mbajtja e provimit të maturës përreth 22 mijë nxënës, të cilët do të testohen në 85 qendra testimi, kanë njoftuar zyrtar të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Testi do të përbëhet nga 100 pyetje, 60 % e të cilave do të jenë nga lëndët bazike, ndërsa koha e plotësimit të testit do të jetë 180 minuta.
    Provimin e maturës do ta kalojnë të gjithë ata nxënës të cilët i arrijnë 50 % të pikëve të testit, ndërsa në vlerësimin e testit nuk do të ketë poenë negativë.

    Kjo njëherësh iu mundëson nxënësve që të sigurojnë 50 % të pikëve për regjistrim në universitet, derisa 20 % do të sigurohen nga suksesi i shkollës së mesme dhe 30 % nga vlerësimi i brendshëm i njësive akademike.

    Testi do të jetë i përbërë nga dy pjesë, derisa emrat e nxënësve do të vihen në mënyrë të koduar.

    Sipas kryetarit të komisionit qendror shtetëror të maturës për të evituar mundësitë e keqpërdorimit, shtypshkronja ku janë shtypur testet po mbahet sekret, dhe është duke u mbikëqyrur nga pjesëtar të SHPK-së.

    Gjithashtu objektet shkollore sot do të jenë të siguruara nga SHPK-ja, ndërkaq testi do të monitorohet nga rreth 1 mijë e 600 administrues të cilët do të jenë të përzier nëpër komuna. (rtk)