Kosova, sot anëtare e FMN
“Unë jam shumë optimist që nesër kjo do të ndodhë deri në ora 5 të pasdites sipas kohës amerikane, kur do të përfundojë procesi votimit. Jam i sigurt që Kosova do të bëhet anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe në bazë të informacioneve që kam është arritur kuorumi i nevojshëm për vendimmarrje nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar”, ka thënë të hënën gurvenatori i Bankes Qendrore, Hashim Rexhepi.
Sipas tij, kjo është në interes të Kosovës dhe është punuar mjaft për të ardhur deri tek ky anëtarësim.
Ndërsa për anëtarësimin në Bankën Botërore, Rexhepi ka theksuare se procesi i votimit në Bankën Botërore përfundon në mes të muajit qershor.
Rexhepi ka theksuar se, njëkohësisht, diku në mesin e muajit maj do të jetë konferenca vjetore e Bankës për Zhvillim dhe Rindërtim, ku Kosova ka shfaqur interesim për tu anëtarësuar.
"Shpresojme që edhe në këtë drejtim do të bëhen hapat e nevojshëm që të rregullohet anëtarësimi i vendit tonë në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim", tha Rexhepi.
{Telegrafi}
Grupi më i njohur i tregëtisë ndërkombëtare thotë se rritja ekonomike gjatë 20 vjetëve të fundit ka shkuar në favor të të pasurve, duke zgjeruar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve në vendet e zhvilluara.
Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik thotë se një studim në 30 vendet e saj anëtare zbuloi se punonjësit e pakualifikuar e kanë më të vështirë për të gjetur punë, me Meksikën, Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara me hendekun më të madh mes të pasurve dhe të varfërve.
Raporti i sotëm tregon se dallimet mes klasës së pasur dhe të mesme po zgjerohen në disa vende, përfshi Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Italinë dhe Kanadanë. Sekretari i Përgjithshëm i OSBEsë Angel Gurria paralajmëroi se rritja e dallimeve është e dukshme dhe se përpjekjet për të rishpërndarë pasurinë përmes sistemit të taksave nuk janë më efektive sesa ç’ishin 10 vjetë më parë.
Ai tha se qeveritë duhet të gjejnë mënyra të tjera për të hapur vende pune dhe për të zgjeruar arsimin. (VOA)
19 qershor, ora 12:00 - Nuk është hera e parë që Berisha shpreh dëshirën për të blerë aksione në Termocentralin “Kosova C”, një ide me vlerë prej 2-3 miliardë euro. Ide apo deklaratë miliardash!
Orjeta Zhupa
![]() |
| Berisha me Thaçin duke parakaluar |
Shqipëria kërkon të bëhet aksioner dhe të financojë projektin kosovar për ndërtimin e termocentralit gjigant Kosova C. Kryeministri Berisha në takimin e tij me homologun kosovar Hashim Thaçi ka pasqyruar rëndësinë e projektit për ndërtimin e këtij termocentrali dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë Shqiptare për të financuar këtë projekt mjaft të rëndësishëm.
“Për shkak të përmasave të tij, kompleksitetit të procedurave të një vepre kaq të madhe, ne po shqyrtojmë mundësinë që të jemi aksioner te Kosova C mbi baza tregtare me kompanitë që do punojë për realizimin e këtij projekti me rëndësi për të dyja vendet” – tha Berisha.
Nuk është hera e parë që Berisha shpreh dëshirën për të blerë aksione në Termocentralin “Kosova C”, një ide me vlerë prej 2-3 miliardë euro, ndërsa këtë plan e ka konfirmuar edhe drejtori i Përgjithshëm i KESH, Gjergj Bojaxhi.
Sipas asaj deklarate të bërë në fund të muajit prill - “Shqipëria do të investojë në termocentralet e Kosovës përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit”. FSHZH është një institucion buxhetor që gjatë viteve të fundit ka menaxhuar disa dhjetëra-milionë dollarë në projekte për ndërtim infrastrukture rurale.
Më herët, kryeministri Berisha pati deklaruar se dëshironte të bashkëfinanconte një termocentral të stërmadh në Kosovë. “Ne do të jemi aksionerë jo të parëndësishëm në termocentralin “Kosova C”, - tha ai.
Ide apo deklaratë miliardash
Kosova ka rezerva qymyri prej 14 miliardë tonësh, qymyr që gjendet shpesh në sipërfaqe e që ka karakteristika të shkëlqyera. Qymyri nuk është një mall që shitet me shumicë në tregun ndërkombëtar, por çmimi i tij vlerësohet në rreth 20 dollarë për ton sot. Katër vende shpresojnë se këto rezerva qymyri do t’i japin energji të lirë.
Serbia ka në plan të lidhet me gazin rus, për ta patur si alternativë kundrejt qymyrit të Kosovës. Maqedonia shpreson se me këtë qymyr do të mbajë në punë termocentralin e Bitolas, i cili aktualisht është jashtë pune, për shkak se nuk ka qymyr. Shqipëria shpreson të balancojë konsumin e vet energjetik, ndërsa Mali i Zi e sheh si burimin më të afërt energjetik.
Energjia e prodhuar nga qymyri i Kosovës ka një kosto prej rreth 23 eurosh për mega/vat sot, ndërsa nëse ndërtohen termocentrale të mëdha, kostoja mund të ulet edhe më tej.
Ky është burimi më i lirë i energjisë elektrike sot për sot në botë pas energjisë së centraleve bërthamore, ku kostoja e prodhimit varion nga 12 në 18 euro për MW.
Por megjithëse në shifra duket e lehtë, në realitet, Kosova nuk ka burime financiare për të ndërtuar termocentrale, ndërsa investitorët e huaj duket se nuk janë shumë të interesuar për të rrezikuar paratë e tyre, në zona të pastabilizuara si Ballkani. Investimet nga grupi i Bankës Botërore shihen ende si të largëta, për shkak se anëtarësimi i Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare do të kërkojë edhe shumë kohë.
Termocentrali “Kosova C”, është i ideuar si një termocentral gjigant, me kapacitet të instaluar 2100 deri në 3 mijë MW. Termocentrale të tillë mund të kushtojnë 2-3 miliardë euro, ndërsa e gjithë ekonomia kosovare prodhon 3.2 miliardë dollarë në vit. Edhe Shqipëria nuk ka potencial ekonomik për sipërmarrje të tilla, ndërkohë që Kosova duket se ka disa probleme të tjera emergjente për të zgjidhur, para se të fillojë planet për zgjerimin e kapacitetit energjetik.
Që kur Kosova u çlirua nga Serbia, donatorët ndërkombëtarë kanë derdhur më shumë se 1 miliardë euro në sistemin energjetik të vendit, por kjo gjë nuk ka garantuar furnizim të rregullt të popullatës. Termocentrali “Kosova A” duhej të qe mbyllur shumë vite më parë, ndërsa mbajtja hapur e TEC “Kosova B” deri në vitin 2023 do të kërkojë investime të tjera.
Kosova ka nevojë për 1.2 miliardë euro “investime imediate” para fillimit të ndërtimit të “Kosova C”, thuhet në Ministrinë e Energjetikës dhe Minierave të Kosovës. Nga këto, 237 milionë euro duket se do të kushtojë hapja e minierave të reja të qymyrit, të nevojshme për të furnizuar me lëndë të parë termocentralet ekzistuese.
KEK ka aktualisht 200 milionë euro borxhe, ndërsa KESH, nuk ka qenë në gjendje deri më sot të menaxhojë ndërtimin e Termocentralit të Vlorës. I projektuar për të nisur punë në vitin 2003, Termocentrali i Vlorës filloi të ndërtohej vetëm vitin e kaluar, pra, katër vite me vonesë.
Një ekspansion shqiptar
Lajmet për projekte gjigante janë të zakonshme në Shqipëri. Gjatë vitit të fundit, janë njoftuar plane për termocentral qymyri prej 1500 mega, termocentral gazi prej 1200 mega, termocentral bërthamor, hidrocentral në jug me vlerë 1 miliardë euro dhe së fundmi, lajmi se Shqipëria do të investojë për ndërtimin e TEC “Kosova C”.
Në kuadër të lajmeve me miliarda euro, ideja për investime në Kosovë duket gjithsesi më normale sesa centrali bërthamor, por sot për sot është thjeshtë një mendim, dhe të tilla në Ballkan ka shumë.
Gënjeshtra e madhe e qymyrit të pastër
Teknologjia e kapjes së karbonit, rezulton më shumë një fushatë marketingu
Që prej tre vitesh, gjigantët botërorë të energjisë elektrike kanë nisur një fushatë reklamuese në përmasa të mëdha, për të pastruar imazhin e qymyrit si një lëndë djegëse ndotëse për ambientin.
Me reklama të shumta e me institute kërkimore, lobingje të tilla ia kanë dalë që në shumë vende të arrijnë të stabilizojnë marrëdhëniet me komunitetet dhe të shmangin protestat ambientale. Lobingje të fuqishme në Gjermani kanë arritur të marrin licenca të reja për ndërtim termocentralesh qymyri, ndërsa përballë nevojës për energji të lirë, qeveria i ka dhënë këto licenca pa i ngarkuar me kredite CO2 dhe pa i vendosur limite emisioni.
Qymyri po rikthehet në përdorim në të gjithë botën, kryesisht për shkak të nacionalizimit të shpejtë të burimeve të naftës dhe të gazit. Në shumë vende europiane, qymyri po shihet si shteg rrugëdaljeje nga varësia energjetike (e rrjedhimisht, politike) nga Rusia. Në Ukrainë, Rumani, Poloni e Gjermani, minierat dikur të braktisura po rihapen.
Çdo plan për ndërtim termocentrali qymyri, shoqërohet me lajme mbi teknologjinë e re të kapjes së dioksidit të karbonit dhe depozitimit nën tokë. Qymyri është bërë gjithashtu ekonomik, për shkak se gjenerata e re e termocentraleve ka rritur eficiencën nga 35% që është për TEC-et ekzistuese, në 45%.
Por teknologjia e re e kapjes së karbonit, e cila nënkupton që gazi ndotës të transportohet përmes tubacioneve në distanca të largëta dhe të depozitohet nën tokë në burime të shteruara nafte ose gazi, mbart një kosto financiare tepër të lartë. Eficienca fizike e termocentraleve ulet në 15%, ndërsa kostoja financiare është e papërballueshme.
Kostoja e prodhimit të një kilovati me qymyr rritet nga 3 cent të dollarit që është sot, në 10 cent. Për më tepër, sistemi i kapjes dhe magazinimit të dioksidit të karbonit, pritet të jetë një teknologji e disponueshme vetëm në vitin 2020, ndërsa parashikohet se në atë kohë, etja e Europës për energji do të jetë aq e madhe, sa askush nuk do të shqetësohet për problemet ambientale.
{Shekulli}
18 qershor, ora 12:00 - Qeveria ka shpallur zyrtarisht kompaninë fituese të tenderit të ARMO-s, Raffinary Associate of Texas.
![]() |
| Logo e ARMO Sh.a. |
Qeveria ka shpallur zyrtarisht kompaninë fituese të tenderit të ARMO-s, Raffinary Associate of Texas.
Konsorciumi
amerikan "Rafineri Associated Anica Texas", ofroi për blerjen e 85% të
aksioneve të ARMO-s, 125 milionë euro, si dhe 240,5 milionë euro për
programin e investimeve në 4 vitet e ardhshme në ARMO.
Kompania Rafineri Associatet Anica Texas ka lajmërur se nuk do të ketë shkurtime nga puna në ARMO.
Të gjithë punonjësit që kanë ikur nga puna do rikthehen në punë madje do të merret edhe staf i ri shtesë. Madje do ketë rritje rroge për të gjithë punonjësit me 30%, që në muajin e parë të punës. Kështu ka njoftuar para një jave Jozeph Desour, presidenti i kompanisë Raffinary Associate of Texas, e cila fitoi tenderin për blerjen e Kompanisë ARMO.
Ai tha gjithashtu se do të ketë ulje të çmimeve të naftës në vend vetëm i kërkoi qeverisë që të ndalojë eksportimin e naftës bruto. “Naftën do ta përpunojmë dhe shesim në vend dhe në këtë mënyrë do të ulen edhe çmimet” – ka thënë Desour.
Do të ketë edhe negociata për kushtet e kontratës dhe nga kjo varet dhe Plan Biznesi ynë për shtrirjen e investimeve.
Asetet
Në objektet që përfshihen në privatizimin strategjik të "ARMO"-s,
janë 2 Uzinat e Përpunimit të Thellë të Naftës në Fier dhe Ballsh,
Qendra Shkencore e Kimi-Përpunimit në Kuçovë, filiali i
Eksport-Importit në Vlorë, si dhe 11 depozita të naftës dhe
karburanteve.
Gjatë 2007, nga "ARMO" u hoqën, si asete të saj,
objekte të cilat kanë hyrë në privatizimin jostrategjik, si 33 objekte
për privatizim, që po privatizohen hap pas hapi me ankand 10 prej tyre.
Privatizimi i pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve, të dhëna
në përdorim, po vazhdon si proces jashtë strukturës strategjike të
ARMO-s. Për të 33 pikat, është plotësuar dokumentacioni i plotë për
privatizim.
Sipas akteve ligjore, përparësi kanë pronarët e
truallit për pikat ku ka pronësi private, të vërtetuara nga Agjencia
Kombëtare e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. "ARMO" blen naftë nga
kompania publike e nxjerrjes së naftës "Albpetrol", si dhe nga "Bankers
Petroleum", me të cilën qeveria shqiptare në vitin 2004 firmosi një
kontratë koncesionare për shfrytëzimin e puseve në zonën Patos-Marinëz.
Por gjatë vitit 2007, kjo kompani nuk i dha sasinë prej 90 mijë tonë
naftë "ARMO"-s, duke e shitur atë në tregjet e huaja.
Fitimet e ARMO-s
Konsulenti për privatizimin e "ARMO"-s, "Pattom Bogs", në raportin e dorëzuar në qeveri në muajin tetor, jep edhe vlerësimet e tij për shitjen e kompanisë shtetërore të naftës.
Në analizën e bërë nga ana e konsulentit, duke marrë parasysh asetet
e kompanisë, bilancet financiare të viteve 2004, 2005 dhe 2006 dhe
blerjet e mundshme nga ana e investitorëve të kësaj pasurie, jepen edhe
skenarët e mundshëm të këtij privatizimi. Në këtë vlerësim, nuk është
marrë parasysh viti 2007, që është edhe më i rëndësishmi përsa i përket
fitimeve të nxjerra nga ana e kompanisë shtetërore.
Vetëm
fitimi i "ARMO"-s gjatë vitit 2007, krahasuar me vitin 2004, është 5
herë më i lartë. Fitimi në vitin 2007 arriti në 1 miliardë e 700
milionë lekë, ndërsa në vitin 2004, ishte vetëm 365 milionë lekë. ARMO,
ka një vlerë të kapitalit të nënshkruar që mund të jetë në nivelin e
50-60 milionë euro, ndërsa një vlerë të aseteve, si vlerë në
kontabilitet, në rreth 100 milionë euro.
Kjo është një vlerë kontabël, vlerë e aseteve të blera në vite, të investuara në vite, siç janë të regjistruara në kontabilitet. Por dhe çmimet e tregut të brendshëm të karburanteve në rritje të vazhdueshme, ku "ARMO" zë 25% të tregut, ndikuan në të ardhurat e kompanisë. Rritja e çmimeve nga operatorët privatë është shoqëruar me një rritje të moderuar nga kompania, duke ndikuar disi në amortizimin e efektit të rritjes galopante të çmimeve nga grosistët shqiptarë. "ARMO", sipas burimeve nga kompania, ka tregtuar gjatë këtij viti, gazoil me çmimin deri në 95.11 lekë/litër.
Në vend mungon konkurrenca, ndërsa kuadri rregullator dhe masat e qeverisë janë të mangëta
Julian Llupo
Banka Botërore i bën thirrje Shqipërisë dhe
vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor të ulin tarifat për shërbimet
e telekomunikacionit.
“Çmimet e telefonisë në Shqipëri dhe në
vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë tre herë më të larta se në
Evropë. Çmimet janë tre herë më të larta jo vetëm për thirrjet që bëhen
nga Shqipëria drejt vendeve të tjera apo brenda vendit, por edhe për
telefonatat që vijnë nga jashtë.
Një fakt i tillë sipas
raportit është më se i dukshëm. “ Nëse merret si shembull një
telefonata nga Anglia drejt vendeve të BE-së, ajo është 3 herë më e
lirë se një telefonatë po nga Anglia në drejtim të vendeve të
Shqipërisë apo të vendeve të tjera të BE-së.
“Ulja e kostove të
tilla mund të jetë shumë e madhe, duke u bazuar në një analizë të
infrastrukturës e prodhueshmërisë së vendeve në Evropë dhe në Azinë
Qendrore”.
Gjithashtu Banka Botërore bën thirrje për
përmirësimin e infrastrukturës së Telekomit e cila do të ndihmojë në
integrimin rajonal, si dhe do të ndihmojë bizneset të përballojnë
pjesërisht rënien ekonomike në pjesën më të madhe të vendeve të vogla.
Raporti
i Bankës Botërore i renditet sektorët e telekomunikaciont dhe atë të
energjisë si nga më të rëndësishmit në zhvillimin e biznesit në
Shqipëri. Tregu i Telekomunikacionit dhe ai i Energjisë llogariten në
rreth 1 miliardë euro, duke qenë së bashku një nga pjesët më të
rëndësishme të ekonomisë së vendit.
Qeveria e dështuar në rregullim
Këto
tregje sipas raportit të BB duhet që të jenë të rregulluara, pra
qeveria të orientojë çmimet drejt kostos. Por përveç se ka një kuadër
rregullator të mangët në këtë drejtim, raporti sqaron se qeverive të
vendeve të Evropës Juglindore, ku përfshihet edhe Shqipëria i mungon
vullneti për të ndryshuar këtë situatë.
Një nga pikat e tjera,
që sipas stusimit të BB është tepër e dukshme në tregun e telefonisë,
është mungesa e konkurrencës. Sipas stusimit të realizuar nga BB tregu
në Shqipëri, Maqedoni dhe Bosnje-Hercegovina paraqet mundësi të mëdha
për uljen e ndjeshme të tarifave. “Nëse do të kishte një konkurrencë
midis kompanive apo të ndërmerrej një orientim i tarifave drejt kostove
atëherë përfitimet që mund të arriheshin në uljen e pagesave për
konsumatorët do të ishin të mëdha”, - thuhet në raport.
Energjia dhe telekomunikacioni, pengesë për integrimin
Mungesa
e energjisë elektrike për periudha të gjatë dhe kostot e mëdha që mbart
sektori i telekomunikacionit, vlerësohen nga BB si pengesa serioze në
integrimin e vendit dhe në arritjen e standardeve. Shqipëria mbetet një
nga vendet më problematike në të dy këto sektorë të rëndësishëm të
infrastrukturës, thekson raporti. Specialistët e BB bëjnë të ditur se
energjia elektrike ka shkurtuar për vite me radhë rritjen ekonomike,
duke u bërë një nga pengesat kryesorë të vendit në procesin e
integrimit.
Banka Botërore sjell si shembull Shqipërinë ku
kufizimet e energjisë- shkruan raporti- janë një problem mjaft
shqetësues për investitorët. “Përvoja e viteve të fundit në Shqipëri
kanë treguar se kufizimet e energjisë mund të kenë një ndikim të madh
në rritjen e GDP-së . Si pasojë kufizimet e energjisë mund të kenë
ndikim të madh si në investimet kombëtare, ashtu dhe tek investimet
ndërkombëtare”, vazhdon raporti.
{Shekulli}
-
-
-
-
-
-
-
-
-
-
-
-
- 
-
-
-
-
-
-
-
- Favotites
